STORIES WE TELL

STORIES WE TELL

Projekti më i ri i DokuFest “STORIES WE TELL”, financuar nga “SMART Ballkans”, synon të shfrytëzojë mediat audio-vizuale për të inkurajuar dialogun dhe mirëkuptimin midis të rinjve nga komunitete të ndryshme në Kosovë. Të rinj të moshës 18-25 vjeçare, gjatë 3 kampëve të ndryshme, do të përfshihen në punëtori dhe diskutime me theks në promovimin e respektit dhe mirëkuptimit reciprok, ku do të kenë rastin të ndajnë mendimet dhe përvojat e tyre, me synimin se do të ndikojnë pozitivisht tek njëri-tjetri për të ndryshuar pikëpamjet negative që na janë krijuar si pasojë e hapësirës mediatike dhe pikëpamjeve që kemi në përgjithësi si shoqëri.

DokuFest, qe një kohë të gjatë, ka përdorur fuqinë e artit përmes filmit dhe materialeve audio-vizuale si një mjedis frymëzues për të nxitur krijimtarinë e të rinjve dhe për të promovuar gjithmonë mendimin e tyre të pavarur. Mirëpo, në këtë mes ka ekzistuar gjithmonë edhe media, e cila ka qenë një ndikues i rëndësishëm në formimin e opinionit të shoqërisë tonë për çdo fenomen, veçanërisht kur është bërë fjalë për çështje etnike apo të drejtat gjinore, megjithatë, jo gjithmonë duke mbështetur lajmet e tyre në fakte të plota.

Synimi i DokuFest është të përdorë këtë platformë për të sfiduar kontekstin e informacioneve të rreme dhe për të përfshirë pasardhësit tanë në një proces që fokusohet te e vërteta, duke shpalosur se si shoqëria është e përfshirë në gjithë këtë kontekst.

Në një mjedis të ri, me bashkëmoshatarë të panjohur, ky projekt synon të thyejë një barrierë edhe më të thellë. Aty ku baza e informacionit më të saktë është pikërisht në mesin e tyre, aty ku “arma” më e fuqishme është dialogu dhe tre kampët shndërrohen në një fushbetejë që synon vetëm paqe, respekt dhe mirëkuptim.

Ky projekt do të ketë gjithsej 50-56 participantë për 3 kampe në total. Gjatë të tre kampeve, pjesëmarrësit e projektit, që është vendosur se do të punojnë në çift, do të kenë mundësi të kalojnë kohë me njëri-tjetrin dhe të krijojnë video 1-2 minutëshe, duke përdorur artin si një medium ku tregojnë se si e shohin njëri-tjetrin dhe anasjelltas, video që do të përdoren si materiale shtesë për ekspozitat e kuruara të këtij projekti.

Duke vazhduar bashkëpunimin me OSHC-të, institucionet dhe mediat e pavarura, do të ndihmojmë në krijimin e një hapësire për diskutime të hapura për të rinjtë, me qëllim të arritjes së qëllimit tonë. Këto hapësira do të jenë të shpërndara në disa qytete të Kosovës dhe në organizata e institucione kulturore të ndryshme, që promovojnë diskutim, ofrojnë informacione të reja dhe pikëpamje të ndryshme. DokuFest do të bashkëpunojë ngushtë me partnerët tanë për të përcjellë mesazhin, duke theksuar vëmendjen në drejtim të grupimeve të margjinalizuara dhe duke inkurajuar një përhapje gjeografike të gjerë në aplikimet për projektin.

Në fund fare do të intervistojmë të gjithë pjesëmarrësit e projektit, duke i inkurajuar ata të reflektojnë mbi “çfarë kanë ditur më parë” dhe “çfarë dinë tani”. Ekspozitat për videot e realizuara do të përgatiten me kujdes dhe do të mbahen gjatë verës në DokuFest për një audienca të gjërë. Përveç ekspozitës, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të ndjekin filma, masterklasa dhe debate të ndryshme që do të zhvillohen gjatë ditëve të festivalit DokuFest, me ç’ rast, ata do të kenë rastin të takojnë njëri-tjetrin përsëri dhe të kalojnë kohë së bashku.

Gjithë ky proces do të mundësoj që ne si ekip i projektit dhe organizatë në tërësi, të identifikojmë fushat potenciale ku ka nevojë për përmirësime, të korrigjojmë çdo boshllëk në përfaqësimin e komunitetit dhe të përsosim strategjinë tone në mënyrë që ndikimi të jetë maksimal.