INOVACIONI DIGJITAL NË FILM DHE TRANSFORMIMI KULTUROR

INOVACIONI DIGJITAL NË FILM DHE TRANSFORMIMI KULTUROR

DokuFest, platforma kryesore për dokumentarët dhe filmat e shkurtër në Kosovë, është krenar të njoftojë fillimin e iniciativës më të re, Projekti Inovacioni Digjital në Film dhe Transformimi Kulturor (D:Fict). Ky projekt i mbështetur nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, synon të fuqizojë brezin e ri të tregimtarëve digjitalë dhe kineastëve. Parku i Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) në Prizren,  është qendër për bashkëpunim mes kompanive vendore dhe ndërkombëtare, programeve të trajnimit professional, institucioneve akademike, agjencive qeveritare, OJQ-ve si dhe hapësirë për aktivitete kulturore dhe artistike.

 

D:Fict shfaqet në një kohë kur aftësitë digjitale dhe kreative janë më të rëndësishme se kurrë. Duke e njohur këtë nevojë, DokuFest ka krijuar një program gjithëpërfshirës njëvjeçar, me potencial për t'u zgjeruar në pesë vjet, i cili synon të zhvillojë talentet e reja në prodhimin digjital dhe atë filmik.  Program ky, që është i vendosur të shpaloset përmes disa punëtorive dhe mundësive praktike për krijimin e projekteve, iniciativë që do të përgadisë një valë të re të kineastëve në Kosovë, duke u mundësuar të rinjve të moshës 12 deri në 18 vjeç të angazhohen në teknika të krijimit të përmbajtjes digjitale bazike dhe të teknikave të avancuara, si dhe në teknikat e krijimit të filmave.

Programi është ndërtuar mbi dy programe të DokuFest-it: Fabrika e Aftësive Digjitale dhe Fabrika e Filmit Digjital. Këto platforma trajnuese do t’u ofrojnë pjesëmarrësve një gamë të gjerë përvojash mësimore, që nga shkrimtaria audiovizuale e deri te prodhimi më i avancuar i filmave digjital. Ajo që e dallon këtë projekt është jo vetëm fokusimi në zhvillimin e aftësive, por edhe ambicia për të frymëzuar të rinjtë të përdorin kinemanë si një mjet për ndryshim shoqëror.

Projekti përputhet me objektivat strategjike të Agjendës Digjitale të Kosovës 2030, duke adresuar mungesat në aftësitë digjitale, ndërgjegjësimin për sigurinë kibernetike dhe nevoja për një fuqi punëtore të aftësuar në fushën digjitale. Duke u fokusuar në sektorët kulturorë dhe kreativë, programi gjithashtu do të kontribuojë në transformimin e gjerë digjital të Kosovës.

Gjatë vitit të parë, projekti ka për qëllim të pajisë të paktën 200 të rinj me aftësi kyçe në fushën digjitale dhe të krijimit të filmave, duke prodhuar përmbajtje digjitale dhe filma të shkurtër që pasqyrojnë zërat dhe perspektivat unike të të rinjve të Kosovës. Përveç zhvillimit të aftësive individuale, projekti synon të forcojë pozicionin e ITP-së si një qendër rajonale për Industrinë Kreative dhe Kulturore.

Çelësi i suksesit të projektit është një rrjet bashkëpunimesh me organizata vendore dhe ndërkombëtare, duke siguruar që pjesëmarrësit të marrin udhëzimet më të mira nga profesionistë të industrisë dhe të kenë qasje në një gamë të gjerë burimesh dhe ekspertizë.

Përmes kësaj nisme, DokuFest vazhdon misionin e tij për të nxitur zhvillimin shoqëror përmes filmit, dhe D:Fict shërben si një shembull  inovacioni në fushën e edukimit digjital. Ndërsa shkojmë drejt një të ardhmeje të fuqizuar digjitale, D:Fict do të luajë një rol të rëndësishëm në pajisjen e të rinjve të Kosovës me aftësitë dhe vetëbesimin për të udhëhequr sektorët kreativë. 

"Shkolla e filmit dokumentar, më ka mësuar si t'i kanalizoj mendimet e mia dhe si të ëndërroj. Jam mësuar ta shoh botën me një sy tjetër dhe ta gjej inspirimin për të treguar një storie në çdo cep të jetës sime. Që atëherë, asnjëherë s’jam ndalur së bëri filma sepse inspirimin, vullnetin dhe njohurinë që e kam marrë, më shoqëron çdo ditë në jetën time."


Leart Rama, Regjisor