Për qasje të plotë në Bibliotekën Digjitale ju duhet llogari aktive në DokuLab

Llogari e re

Projekti D:Fict ka përfunduar trajnimin e dytë

Përgjatë muajit Prill dhe Maj, DokuFest ka përfundur implementimin e pjesës së dytë të projektit D:Fict, këtë herë me fokus në Prodhimin Krijues te filmit dokumentar.  Udhëhequr nga ekspertë të fushës, Trëndelina Halili, Anita Morina dhe Kushtrim Haxha, trajnimi i dytë është fokusuar në pjesën teorike dhe praktike të krijimit të një filmi dokumentar.

Sesioni filloi me një hyrje në bazat e rrëfimtarisë në dokumentar, ku nxënësit u njohën me strukturën, kuadrin dhe elementet thelbësore që duhen për të ndërtuar një histori . Ligjëruesit, përmes një ligjërate të shkurtër, prezantuan gjithashtu aspektet vizuale dhe rëndësinë e zërit në procesin krijues të një dokumentari.

Pas pjesës teorike, nxënësit u ndanë në katër grupe për të zhvilluar një ide filmike, të cilën duhet ta realizonin deri në fund të ditës. Ata u udhëzuan të ndajnë rolet brenda grupit – përfshirë regjisorin, skenaristin, producentin, ekipin e zërit etj– me qëllim që puna të organizohej në mënyrë sa më efikase.

Pjesa praktike përfshiu ushtrime me kamerë dhe mikrofon, ku nxënësit u angazhuan drejtpërdrejt në eksplorimin e hapësirës që do të përdornin për xhirime dhe mënyrën më të përshtatshme për ta shfrytëzuar atë.

Në fazën përfundimtare të ditës, pjesëmarrësit kaluan në procesin e editimit të materialeve të xhiruara. Ligjëruesit prezantuan platformat që mund të përdoren për editim, demonstruan në kohë reale teknikat bazë të editimit, përzgjedhjen e materialeve dhe ndërtimin e rrëfimit në mënyrë të strukturuar.

Trajnimi i dytë D:FICT kishte në fokus të mësuarit praktik dhe bashkëpunim, duke kombinuar teorinë me praktikën dhe duke i pajisur këta të rinj me njohuri për krijimin e një dokumentari të shkurtër.


Ky projekt implementohet në bashkëpunim me Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren të GIZ Kosova. 

"Filmat edukativë si mjete kyçe për të inspiruar ndryshimin dhe për të promovuar dialogun ndërkulturor në shkolla. Një mundësi unike për nxënësit të zhvillojnë aftësi kritike të mendimit, të rrisin ndërgjegjësimin rreth çështjeve sociale dhe kulturore dhe të nxisin një qasje më të hapur dhe të përfshirëse ndaj mësimit. Përmes temave të tyre të fuqishme dhe narrativave të ndikshme, këto filma edukativë janë burime të pasura që mbështesin mësimdhënien inovative dhe kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie më të informuar, të ndërgjegjshme dhe demokratike."