Filmi - Instrument edukativ në shkolla për promovimin e mësimit inovativ

Filmi - Instrument edukativ në shkolla për promovimin e mësimit inovativ

Tetëmbëdhjetë mësimdhënës nga shkolla të mesme të larta në Kosovë u bënë pjesë e dy punëtorive të rradhës për mësimdhënës të cilat si fokus kryesor kishin përdorimin e filmit dokumentar dhe integrimin e tij në kornizën kurrikulare për arsimin parauniversitar në Kosovë.

Programi ynë është i licencuar nga Këshilli Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve si vazhdimësi e Memorandumit të Bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, për përdorimin e platformës “Biblioteka Digjitale e Mësimdhënësit”

Nën drejtimin e Malbora Krajku nga DokuFest dhe me mbështjetjen e Prof. Asoc. Dr .Arlinda Bekas nga Fakullteti i Edukimit në Universitetin e Prishtinës, të cilat së bashku ndanë qëllimin e punëtorisë dhe i prezentuan mësimdhënësve programin e edukimit DokuLab.

Nisur nga përvojat e tyre, dy bashkpunëtoret tona ndër vite njëkohësisht edhe alumni të po të njejtës punëtori, demonstruan se si filmi dokumentar mund të përdoret gjatë mësimit. Feride Thaqi mësimdhënëse e lëndës së Psikologjisë nga Gjimnazi “Ulpiana” në Lipjan si dhe Jeta Rexha mësimdhënëse e psikologjisë në Gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë, ndanë përvojat e tyre në lidhje me përdorimin e filmit në klasë, avantazhet dhe përparësitë e përdorimit të mjeteve audiovizuale në përgjithësi.

Në pjesën e parë të ditës pjesëmarrësit kishin mundësinë të shikonin filmin dokumentar të titulluar ‘’Tash për çdo orë’’, krijim i Albulena Caka, studente nga shkolla e filmit ‘’Future is Here’’. 

Znj. Thaqi dhe Znj. Rexha ofruan një përvojë autentike ku demonstruan se si filmi I lartëcekur mund të përdoret në mënyrë efektive për qëllime edukative. Znj. Thaqi paraqiti një simulim të ambientit të punës në një mjedis klase, duke shpjeguar hapat e përdorimit të filmit për qëllime edukative, bazuar në fletën e punës që kishte përgatitur, ndërsa Znj. Rexha mori përsipër të udhëhiqte një punëtori praktike për krijimin e një flete pune, me fokus në shpjegimin e avantazheve dhe vlerën e përfshirjes së filmit në procesin e mësimit.

Ndërkohë, përfaqësuesit e DokuFest, Malbora Krajku dhe Dren Shporta, prezantuan ‘’Bibliotekën Digjitale të Mësimdhënësit’’, duke ofruar një shpjegim të detajizuar për funksionimin e saj dhe ndanë informacione mbi gamën e gjerë të filmave dhe mjetet alternative që ofrohen në këtë platformë. 

Në pjesën e dytë të ditës, mësimdhënësve iu shfaq filmi dokumentar “Ar-rythmic” nga Jona Pireva dhe Albina Konjuhi, që të dyja studente të shkollës së filmit “Future is Here”. 

Pas shfaqjes së filmit, të gjithë pjesëmarrësve iu dha detyra të krijojë një fletë pune për njësinë e tyre mësimore, duke u bazuar në temat dhe mesazhet që morën nga filmi që kishin pare Në fund të gjithë mësimdhënësit krijuan me sukses fletat e punës, të cilat më pas do të vendosen në Bibliotekën Digjitale të Mësimdhënësit për të qenë në dispozicion për të gjithë mësimdhënësit që kanë interes të integrojnë filmin në klasë.

Cikli i organizimit të këtyre trajnimeve do të vazhdojë deri në muajin qershor, me sesione të tjera të planifikuara për të përmbushur nevojat e mësimdhënësve.

Punëtoritë e rradhës do të mbahen më 20 dhe 21 prill 2024 në qytetin e Prizrenit.