DokuFest, me krenari bëhet pjesë e fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, një nismë që…
Dy vikendet që lamë pas njëzet e një mësimdhënës nga shkolla të mesme të larta nga e mbarë Kosova morrën pjesë në punëtoritë për përdorimin e mjeteve audiovizuale në mësimdhënie, me fokus në përdorimin e filmit dokumentar dhe integrimin e tij në kornizën kurrikulare për arsimin parauniversitar. Këto punëtori ishin aktivitetet e para që i organizuam pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit në lidhje me përdorimin e “Bibliotekës Digjitale të Mësimdhënësit” me qëllim të nxitjes dhe mbështetjes së mësimdhënësve në përdorimin e mjeteve audiovizuale gjatë planifikimit dhe zhvillimit të procesit edukativo-arsimor. Punëtorinë e udhëhoqi Malbora Krajku nga DokuFest, e cila ndau qëllimin e punëtorisë dhe prezentoni programin e edukimit DokuLab, përderisa u facilitua nga Prof. Asoc. Dr. Arlinda Beka, nga Fakulteti i Edukimit – Universiteti i Prishtinës.
Trajnere të punëtorisë ishin dy bashkëpunëtore tona të cilat shumë vite më parë ishin pjesëmarrëse në punëtoritë për përdorimin e filmit dokumentar në klasë, Feride Thaqi mësimdhënëse e lëndës së Psikologjisë nga Gjimnazi "Ulpiana" në Lipjan si dhe Jeta Rexha mësimdhënëse e psikologjisë në Gjimnazin "Hajdar Dushi" në Gjakovë, të cilat praktikisht me mësimdhënësit pjesëmarrës ndan përvojat e tyre lidhur me përdorimin e filmit në klasë, avantazhet dhe përparësitë e përdorimit të mjeteve audiovizuale në përgjithësi. Pjesëmarrësit patën rastin të shohin filmin dokumentar të titulluar “Please pick up”, nga Nea Zeka studente e shkollës së filmit 'Future is Here'. Znj. Thaqi simuloi hapësirën e punëtorisë në një mjedis klase, duke shpjeguar me përpikëri hapat e përfshira në përdorimin efektiv të filmit për qëllime edukative bazuar në fletën e punës që kishte përgatitur për filmin e shfaqur, ndërsa znj. Rexha udhëhoqi punëtorinë për krijimin e një flete pune dhe shtjelloi avantazhet e tij gjatë integrimit të filmit në procesin e të mësuarit.
Malbora Krajku dhe Dren Shporta nga DokuFest gjithashtu prezentuan Bibliotekën Digjitale të Mësimdhënësit, ku shpjeguan funksionimin e saj dhe ndanë filmat dhe mjetet alternative që përmbanë platforma online. Në pjesën e dytë të ditës mësimdhënësve iu shfaqën filmat dokumentar “Gjyshi im” nga Hena Krasniqi dhe “Në kërkim të së bukurës” nga Hana Salihu që të dyja gjithashtu studente të shkollës së filmit "Future is Here", dhe pjesëmarrësit patën punë praktike ku secilit nga ta i’u kërkua të krijonin nga një fletë pune për njësitë e tyre mësimore bazuar në filmin që kishin ndjekur. Të gjithë mësimdhënësit krijuan me sukses fletat e punës dhe i prezentuan ato për kolegët e tyre. Këto burime edukative do të publikohen në Bibliotekën Digjitale të Mësimdhënësit dhe do të jenë në shërbim për të gjithë mësimdhënësit e interesuar për përdorimin e filmit në klasë. Cikli i organizimit të trajnimeve të tilla do të vazhdoj deri në muajin qershor, ndërsa trajnimet e radhës për mësimdhënës mbahen më 16 dhe 23 mars 2024 në Prizren.