PËRTEJ HESHTJES - Fuqizimi i zërave për drejtësi dhe kujtesë

PËRTEJ HESHTJES - Fuqizimi i zërave për drejtësi dhe kujtesë

Më shumë se dy dekada pas konfliktit në Kosovë, kërkimi për drejtësi dhe pajtim vazhdon. Shumë të mbijetuar, veçanërisht ata të prekur nga dhuna seksuale gjatë konfliktit, ende përballen me barriera për mbështetje dhe njohje. Në të njëjtën kohë, gjeneratat e reja rriten pa arsimim të strukturuar mbi krimet e së kaluarës, duke lënë boshllëqe në dije dhe hapësirë për dezinformata.

Përtej Heshtjes është një nismë e përbashkët e DokuFest dhe Qendrës për të Drejtën Humanitare Kosovë (HLCK) që i adreson këto sfida përmes edukimit, dialogut dhe ndërgjegjësimit publik. Projekti mundësohet me asistencën e projektit rajonal Mbështetja e BE-së për Ndërtimin e Besimit në Ballkanin Perëndimor, i cili financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe implementohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Objektivat kryesore të projektit:

Edukimi — Po zhvillojmë një modul të specializuar mbi drejtësinë tranzicionale për mësimdhënësit e shkollave të mesme. Ky modul do të integrohet në Bibliotekën Digjitale të Mësimdhënësve të DokuFest, duke u ofruar edukatorëve mjete dhe plane mësimore të strukturuara. Të paktën 50 mësimdhënës do të trajnohen, duke arritur më shumë se 500 nxënës në të gjithë Kosovën.

Dialogu — Gjatë DokuFest 2025, do të organizojmë një edicion të veçantë të DokuTalks: Të Përballemi me të Kaluarën, duke bashkuar të mbijetuar, ekspertë dhe zëra rajonalë. Shfaqjet e dokumentarëve të përzgjedhur do të pasohen me diskutime të hapura mbi të vërtetën, drejtësinë dhe pajtimin.

Ndërgjegjësimi publik — Një fushatë avokuese e përqendruar te të mbijetuarit do të sjellë dëshmi, produkte mediatike dhe mjete rrëfimi të dizajnuara për të arritur më shumë se 10,000 persona. Përmes tregimeve personale, synojmë të rrisim ndërgjegjësimin, të kundërshtojmë dezinformatat dhe të fuqizojmë zërat që shpesh kanë mbetur të pashpërfaqësuar.

Përtej Heshtjes ndihmon që përvojat e të mbijetuarve të njihen dhe që gjenerata e re të mësojë për drejtësinë dhe llogaridhënien. Projekti krijon hapësira të sigurta për dialog nëpër komunitete lokale dhe në tërë Ballkanin Perëndimor, duke kontribuar në një kulturë më të fortë të kujtesës dhe pajtimit.

Të gjitha materialet edukative do të mbeten të qasshme në Bibliotekën Digjitale të Mësimdhënësve, duke siguruar përdorim të vazhdueshëm edhe pas përfundimit të projektit. Mësimdhënësit e trajnuar do ta bartin këtë njohuri në klasat e tyre për vite me radhë. Tregimet e të mbijetuarve dhe përmbajtja dokumentare do të mbeten të përdorshme për shfaqje dhe avokim të ardhshëm. DokuTalks do të mbetet pjesë e programit vjetor të DokuFest, duke e mbajtur këtë dialog gjallë.

Rezultatet e pritshme

Duke kombinuar edukimin, filmin dhe diskutimin publik, projekti synon të:

⦿ Sigurojë që përvojat e të mbijetuarve të njihen dhe të ndahen.

⦿ Pajisë mësimdhënësit me mjete të akredituara për të transferuar dijen mbi drejtësinë dhe llogaridhënien te gjeneratat e reja.

⦿ Forcojë hapësirat e sigurta për dialog në Kosovë dhe në tërë Ballkanin Perëndimor.

⦿ Sigurojë qasje afatgjatë në burime, përfshirë modulin e trajnimit, dëshmitë dhe përmbajtjen dokumentare, përmes Bibliotekës Digjitale të Mësimdhënësve dhe programit të vazhdueshëm të DokuFest.

⦿ Mbajë DokuTalks si pjesë të agjendës vjetore të DokuFest, duke siguruar diskutim të vazhdueshëm mbi të kaluarën.

Periudha e implementimit

Gusht 2025 – Prill 2026

Kontaktet:

Për më shumë informata, ju lutem kontaktoni:

DokuFest: Malbora Krajku [email protected]

Qendra për të Drejtën Humanitare Kosovë (HLCK): Besnik Beqaj [email protected]

Projekti Përtej Heshtjes – Fuqizimi i Zërave për Drejtësi dhe Kujtesë implementohet nga DokuFest në partneritet me Qendrën për të Drejtën Humanitare Kosovë (HLCK). Projekti mundësohet me asistencën e programit rajonal Mbështetja e BE-së për Ndërtimin e Besimit në Ballkanin Perëndimor, i cili financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe implementohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Shënim: Kjo faqe është krijuar si pjesë e projektit. Përmbajtja e saj është përgjegjësi e vetme e DokuFest dhe HLCK dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian apo të UNDP.

"Në zemrën e sfidave shoqërore dhe ndryshimeve globale, arti dhe edukimi bashkohen për të ndriçuar rrugën drejt kuptimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit. Përmes filmave dhe programeve arsimore, të rinjtë marrin fuqinë të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët në harmoni dhe paqe."