DIGITAL MEDIA CLUBS

Raporti i evaluimit

Ngritja e angazhimit aktiv të nxënësve përmes Klubeve Digjitale të Medias

Ky dokument është evaluim i përgjithshëm i projektit të quajtur Ngritja e angazhimit aktiv të nxënësve përmes Klubeve Digjitale të Medias: Zhvillimi i kapaciteteve në edukimin fillor në Kosovë. Projekti ka pasur për qëllim që të pajis të rinjtë me dije dhe aftësi të mendimit kritik, të kërkuara për tu përballur me tranzicionin e gjerë në media. Kjo përfshin edhe mediat tradicionale, siç janë televizioni dhe radioja, sikurse edhe të rejat, siç janë rrjetet sociale dhe platformat tjera online. Projekti ka arritur këtë përmes krijimit të Klubeve Digjitale të Medias me 20 Shkolla kampione në shtatë Komuna të Kosovës.

 Departamenti i Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, ka menaxhuar këtë evaluim. Objektivi i këtij evaluimi ka qenë që të shihet ndikimi i implementimit të projektit dhe të dokumentohen rezultatet e projektit në relacion me objektivat dhe rezultatet e pritura, sikurse janë parashikuar në projekt propozim. Për më tepër, procesi i evaluimit ka pasur për qëllim të identifikojë edhe praktikat e mira dhe mësimet e nxjerra për intervenime të ardhshme. 

Evaluimi ka përdorur një dizajn hulumtimi cilësor, që përfshiu një rishikim gjithëpërfshirës tryezor, të kombinuar me intervista gjysmë të strukturuara për të zhvilluar kuptimin e thellë të arritjeve të projektit dhe mësimeve të nxjerra. Rezultatet e evaluimit kanë sinjalizuar që punëtoritë dhe themelimi i Klubeve Digjitale të Mediave kanë qenë përcaktues në përmirësimin e aftësive të nxënësve dhe mësimdhënësve në relacion me njohuritë me mediat. Nxënësit kanë theksuar kënaqësinë e tyre gjatë organizimive dhe instruksioneve të fituara përmes Klubeve Digjitale të Medias. 

Veçanërisht kanë treguar se atmosfera në shkollë është bërë më e këndshme për të gjithë. Përvojat e tyre me Klubet Digjitale të Medias kanë kontribuuar në zhvillimin e tyre personal dhe profesional. Përfundimisht, procesi i evaluimit ka treguar që projekti ka qenë jashtëzakonisht shumë relevant, efektiv dhe efiçient në terme të ndërtimit të aftësive digjitale dhe mendimit kritik nga perspektiva e të dyja palëve, nxënësve dhe mësimdhënësve. Mëposhtë, klikoni për të shkarkuar raportin e plotë të evaluimit si file, PDF.

"Filmat edukativë si mjete kyçe për të inspiruar ndryshimin dhe për të promovuar dialogun ndërkulturor në shkolla. Një mundësi unike për nxënësit të zhvillojnë aftësi kritike të mendimit, të rrisin ndërgjegjësimin rreth çështjeve sociale dhe kulturore dhe të nxisin një qasje më të hapur dhe të përfshirëse ndaj mësimit. Përmes temave të tyre të fuqishme dhe narrativave të ndikshme, këto filma edukativë janë burime të pasura që mbështesin mësimdhënien inovative dhe kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie më të informuar, të ndërgjegjshme dhe demokratike."