EDUKIMI MEDIATIK PËR MËSIMDHËNËS

EDUKIMI MEDIATIK PËR MËSIMDHËNËS

Ka qenë një fundjavë e mbushur me plot ngjarje ne DokuFest, pasi që mbajtëm Punëtorinë për Mësimdhënësit mbi Edukimin në Media, nga 6 deri më 8 maj, në bashkëpunim me OSBE-në. Ju kthyem mësueseve të Kosovës të fushave kurrikulare të Gjuhës dhe Komunikimit, Arteve, Shoqërisë dhe Mjedisit dhe Edukatës Qytetare, të nivelit 5 dhe 6 (klasat X-XII), për herë të dytë me puntorinë mbi Edukimimin Mediatik. 

Punëtoria kishte të bënte veçanërisht me përdorimin e mjeteve audio-vizuele dhe edukimit mediatik, gjatë procesit mësimor, duke përfshirë trajnime se si të integrohen filmat dokumentarë në mësimdhënie, si dhe mjete të tjera të edukimit dhe informacionit mediatik si pjesë e kurrikulës së tyre mësimore. Punëtoria u fokusua shumë në zhvillimin e praktikave të shëndetshme në mënyrën se si ata angazhohen me median, mënyrat për të vlerësuar besueshmërinë e informacionit, të menduarit kritik, të menduarit analitik, mësimin elektronik dhe aftësinë për të përdorur teknologji të reja digjitale.

Ne e bëmë këtë përmes ndihmës së disa prej profesionistëve të njohur të mediave të Kosovës: Malborë Krajku dhe Eroll Bilibani nga DokuFest, të cilët folën për metodologjinë e programit të DokuLab: Filmi në Edukim dhe Format e komunikimit përmes Filmit, respektivisht; Muhamet Jahiri, profesor në Universitetin e Prishtinës, i cili foli për Edukimin në Media: Aftësitë në Epokën Digjitale; Alban Zeneli, njëherësh profesor në Universitetin e Prishtinës, foli për Çrregullimin e Informacionit dhe Dezinformimin; Besa Luci e Kosovo 2.0 e cila ligjëroi për Mendimin Kritik dhe Edukimin në Media; dhe Shqipe Gjocaj specialiste gjinore e pavarur, foli për temën mbi Edukimin Mediatik me Perspektivë Gjinore.

Bisedimet u strukturuan në një mënyrë për të nxitur diskutimin mes mësimdhënësve, pasi ne donim që ata të reflektonin mbi përvojat e tyre personale. 

Përmes departamentit të edukimit - DokuLab, DokuFest është akredituar nga MASHT-i në ngritjen e kapaciteteve të mësimdhënësve për përdorimin e mjeteve audiovizuale në procesin e mësimdhënies. DokuLab ofron gjithashtu një numër të konsiderueshëm dokumentarësh dhe materialesh didaktike përmes Bibliotekës Digjitale të Mësimdhënësve. Të gjitha materialet arsimore janë të lidhura me Kornizën Kurrikulare për Arsimin Parauniversitar dhe u ofrohen mësuesve si një platformë me kod të hapur, krijuar posaçërisht për këtë qëllim.