Për qasje të plotë në Bibliotekën Digjitale ju duhet llogari aktive në DokuLab

Llogari e re

DOKUFEST PREZANTON BIBLIOTEKËN DIGJITALE TË MËSIMDHËNËSIT

Disa fotografi nga punëtoritë e para, të vitit 2018, i kujtuan ekipit të DokuFest përpjekjet e tyre shumëvjeçare për të integruar filmin në programet kurrikulare arsimore.

Pasi shfrytëzuan kohën e pandemisë për të përmirësuar pjesën teknike, dhe falë mbështetjes së Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe bashkëpunimit me fakultetet e edukimit të universiteteve të Prishtinës dhe Prizrenit, më 4 qershor ata lansuan platformën “Biblioteka Digjitale”, të cilës i referohen si Netflix-i i mësimdhënësve.

Në prezantimin e kësaj biblioteke digjitale, e cila do të lançohet në shtator, morën pjesë përfaqësuesja e Ambasadës Suedeze në Kosovë, zonja Valentina Qarri; shefi i OSBE – Misioni në Kosovë, zoti Michael Davenport; shefja e kabinetit të ministres Nagavci, zonja Bora Shpuza; si dhe shumë mësimdhënës dhe pjesëmarrës të tjerë.

Kjo bibliotekë është dizajnuar që të jetë një burim i pasur dhe i lehtë për t'u përdorur nga mësimdhënësit e shkollave publike në Kosovë.

Platforma përfshin filma dhe fleta pune të bazuara në modele ndërkombëtare, të cilat janë përshtatur për kurrikulat tona arsimore.

Si partneri kryesor, DokuFest ka kontribuar me një arkiv të pasur prej rreth 200 filmash të prodhuar gjatë 15 viteve të fundit.

Këta filma, të krijuar nga të rinjtë për të rinjtë, trajtojnë tema të ndryshme shoqërore dhe edukative, duke ofruar një perspektivë të re dhe të freskët për nxënësit.

Ndërkohë, me ndihmën e mësimdhënësve që kanë marrë pjesë në punëtoritë për mësimdhënës, kanë arritur të krijojnë rreth 130 fleta pune si material didaktik, të gjitha të përshtatura me kornizën kurrikulare të Republikës së Kosovës.

Më shumë se 350 mësimdhënës janë regjistruar për të përdorur këtë platformë. Duke u regjistruar ata fitojnë qasje të pakufizuar në këto burime, të gjitha të cilat ofrohen pa pagesë.

Bashkëpunimi ynë do të vazhdojë me trajnimin e mësimdhënësve për përdorimin efektiv të bibliotekës digjitale, duke sjellë një inovacion të rëndësishëm në procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies.

"Filmat edukativë si mjete kyçe për të inspiruar ndryshimin dhe për të promovuar dialogun ndërkulturor në shkolla. Një mundësi unike për nxënësit të zhvillojnë aftësi kritike të mendimit, të rrisin ndërgjegjësimin rreth çështjeve sociale dhe kulturore dhe të nxisin një qasje më të hapur dhe të përfshirëse ndaj mësimit. Përmes temave të tyre të fuqishme dhe narrativave të ndikshme, këto filma edukativë janë burime të pasura që mbështesin mësimdhënien inovative dhe kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie më të informuar, të ndërgjegjshme dhe demokratike."