Për qasje të plotë në Bibliotekën Digjitale ju duhet llogari aktive në DokuLab

Llogari e re

#DocYouth Alliance: Youth connecting through cinema

Doc Youth Alliance, një nismë e përbashkët mes DokuFest dhe Beldocs, është një program që fuqizon të rinjtë nga Kosova dhe Serbia duke i angazhuar ata në përvoja ndërkulturore. Kjo nismë synon të promovojë mirëkuptimin duke sjellë bashkë të rinj nga të dy vendet për të ndarë përvoja kinematografike, për të ndërtuar rrjete dhe për të nxitur bashkëpunimin përtej kufijve.

Gjatë punëtorive online, shkëmbimeve, shfaqje të filmave dhe diskutimeve të përbashkëta, pjesëmarrësit shikuan dhe analizuan katër dokumentarë të fuqishëm të përzgjedhur në programin zyrtar të edicionit të 18-të të festivalit Beldocs.

Nga katër filmat që panë online – “Azza” nga Stefanie Brockhous, “When the Phone Rang” nga Iva Radivojević, “The Helsinki Effect” nga Arthur Franck dhe “Songs of Slow Burning Earth” nga Olha Zhurba – pas diskutimeve të gjata, filmi ukrainas Songs of Slow Burning Earth u përzgjodh si fitues.

Regjisorja ukrainase ishte e pranishme gjatë shfaqjes së filmit, dhe pjesëmarrësit e programit patën mundësinë të bashkëbisedojnë me të në një sesion pyetje-përgjigje. Diskutimi u moderua nga Era Latifi dhe Vid Radicevic, të cilët udhëhoqën bisedën me profesionalizëm përmes pyetjeve mbi punën e regjisores.

Si pjesë e këtij bashkëpunimi, u krijua një botim që përmban reflektimet e pjesëmarrësve mbi katër filmat e shikuar. Ky botim është rezultat i një udhëtimi të përbashkët të një grupi prej njëzet të rinjsh nga Kosova dhe Serbia, të bashkuar nga DokuFest dhe Beldocs përmes iniciativës Doc Youth Alliance. Botimi përmbledh jo vetëm angazhimin e tyre me kinemanë, por edhe guximin për t’u lidhur, për të dëgjuar dhe për të folur përtej dallimeve, në frymën e solidaritetit.
Ky projekt shërben si dëshmi se fuqia transformuese e filmit dokumentar mund të ndërtojë ura, dhe se zërat e të rinjve janë thelbësorë për ndërtimin e një të ardhmeje më paqësore dhe gjithëpërfshirëse në rajon.

Në fazën e ardhshme të projektit, të gjithë pjesëmarrësit do të jenë pjesë e Jurisë së të Rinjve në DokuFest, ku do të përzgjedhin fituesin e një filmi me temë rinore.

Projekti Doc Youth Alliance është mbështetur nga RYCO – Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor.

"Filmat edukativë si mjete kyçe për të inspiruar ndryshimin dhe për të promovuar dialogun ndërkulturor në shkolla. Një mundësi unike për nxënësit të zhvillojnë aftësi kritike të mendimit, të rrisin ndërgjegjësimin rreth çështjeve sociale dhe kulturore dhe të nxisin një qasje më të hapur dhe të përfshirëse ndaj mësimit. Përmes temave të tyre të fuqishme dhe narrativave të ndikshme, këto filma edukativë janë burime të pasura që mbështesin mësimdhënien inovative dhe kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie më të informuar, të ndërgjegjshme dhe demokratike."