EKSPOZITA E KLUBEVE TË MEDIAS

EKSPOZITA E KLUBEVE TË MEDIAS

Themelimi i Klubeve Digjitale të Medias në 20 Shkolla Kampione nga DokuFest përmes përkrahjes së GIZ-it Gjerman ka arritur që të krijoj hapësirë në këto shkolla ku nxënësit kanë mundësi të shprehin kreativitetin e tyre përmes komunikimit vizuel.

Ky projekt ua ka mundësuar nxënësve nxitjen e kreativitetit përmes aktiviteteve dhe trajnimeve të ndryshme dhe ka nxitur pjesëmarrjen aktive në trajtimin e çështjeve si gjithëpërfshirja, bulizmi, diskriminimi dhe qytetaria aktive, duke përmirësuar mendimin kritik dhe analitik tek ata, dhe që të fuqizohen të komunikojnë në mënyrë efikase në media të ndryshme.

Një nga teknikat e trajtuara ishte edhe ajo e intervistimeve për nevojat e shkollave, duke u fokusuar në mbulimin dhe dokumentimin e aktiviteteve në shkollë përgjatë vitit. Në kuadër të programit të financuar nga GIZ, organizatat e ndryshme kanë konceptuar themelimin e klubeve të ndryshme. Bonevet nga Gjakova ka punuar në ndërtimin e kapaciteteve të Klubeve të Shkencës, përderisa Artpolis ka punuar në themelimin e klubeve teatrore. DokuFest ka inicuar ndërtimin e sinergjive mes tre klubeve të sapoformuara në mënyrë që impakti i projektit të shtrihet në një numër sa më të madh të nxënësve dhe në krijimin e modaliteteve të qëndrueshmërisë përtej kohëzgjatjes së projektit.

Projekti në mënyrë specifike kishte për qëllim t’i mësojë nxënësit rreth medias digjitale në një mjedis të kënaqshëm, ku studentët kanë hapësirë dhe liri të imagjinojnë, krijojnë dhe prodhojnë histori të mediave digjitale, tregime, revista shkollore me mundësi të pakufizuara. Nxënësit kanë mësuar se si të përdorin mjetet e mediave digjitale për prodhimin audiovizuel, botimin dhe të mësojnë të punojnë së bashku në grup.

Edhe pse projekti u inicua para pandemisë globale, e cila në mënyrë të veçantë e goditi sektorin e arsimit, në kohën e pandemisë bashkëpunimi i ekipit të projektit dhe stafit tjetër të DokuFest me nxënësit anëtarë të Klubeve në këto shkolla kampione arriti që të lansojë Klasën Virtuale. Klasa Virtuale si produkt i këtij projekti është një përmbledhje e njësive mësimore të lëndëve të ndryshme, punuar si mësime moderne, atraktive, audiovizuale dhe të kapshme për këto grupmosha.

Në gjysëmvjetorin e parë të vitit shkollor 2021/2022 DokuFest organizoi kampe dyditore për Klubet Digjitale të Mediave, duke ju ofruar një mundësi nxënësve që të trajtojnë tema komplekse përmes teknikës stop-motion e cila u facilitua nga Studio Amam dhe ekspertët e angazhuar.

Arsimi Cilësor, Zvogëlimi i Pabarazive, Qytete dhe Komunitete të Qëndrueshme, si dhe Veprim për Ndryshimet Klimatike ishin temat e përzgjedhura për trajtim kreativ.

I tërë trajnimi ju ofrua 104 nxënësve dhe 19 mësimdhënësve të 17 shkollave kampione brenda 5 javëve në hapësirat e Kinemasë DokuKino. Këto punime të nxënësve u konsoliduan në një animacion i cili u ekspozua në 7 komunat e shkollave kampione.

Përgjatë këtyre trajnimeve nxënësit janë njoftuar me temat e Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG), dhe pas përzgjedhjes së temës janë trajnuar për zhvillimin e konceptit përmes rrëfimit audiovizuel duke përdorur teknikën stop-motion. Pasi që është vendosur koncepti, secilit grup i është kërkuar që ta transmetojë konceptin final në storyboard, ku edhe është dashur të planifikojnë për materialet dhe mënyren e realizimit të projektit të tyre me stop-motion.

Digital Media Clubs - Stop Motion from Doku Fest on Vimeo.

Të gjitha këto risi të mësuara janë transferuar pastaj në punimin final që është duke u ekspozuar në 7 komuna, atë të Gjilanit, Gjakovës, Prishtinës, Prizrenit, Obiliqit, Shtimes dhe Podujevës.

Përmes programit të rimëkëmbjes ekonomike të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, DokuFest do të vazhdojë të ofrojë mbështetje Klubeve Digjitale të Medias në Shkollat Kampione përmes projektit Fabrika Digjitale e Filmit, ku nxënësve do tu ofrohet moduli i Edukimit Mediatik dhe Multimedia, në mënyrë që impakti i punës së tyre të ndikojë në modernizim, digjitalizim dhe përmirsim të cilësisë së Arsimit në këto shkolla.