Për qasje të plotë në Bibliotekën Digjitale ju duhet llogari aktive në DokuLab

Llogari e re

FILMI DOKUMENTAR NË KLASË, PËR MËSIMDHËNËSIT E SHQIPËRISË

Pas një bashkëpunimi të sukseshëm me partnerët tanë nga Mali i Zi “UnderHill Fest”, këtë vit kemi filluar bashkëpunimin me partnerët tanë të rinj nga Shqipëria “Korça Short Film Festival — KO:SH” mbi shkëmbimin e njohurive dhe përvojën për përdorimin e filmit në klasë.

Me 10 dhe 11 qershor DokuFest së bashku me mësimdhënëset nga Kosova ishin në Tiranë për të organizuar punëtorinë e dytë për Përdorimin e Mjeteve Audio-Vizuele në Mësimdhënie, me fokus në përdorimin e filmit dokumentar dhe integrimin e tij në kornizën kurrikulare për arsimin parauniversitar. Feride Thaqi, mësimdhënëse e psikologjisë nga gjimnazi "Ulpiana" në Lipjan dhe Fjolla Gashi, mësimdhënëse e edukimit mediatik nga gjimnazi "Sami Frashëri" në Prishtinë, ishin në rolin e tutoreve të punëtorisë ku ndanë përvojat e tyre dhe metodologjinë e punës me kolegët nga Shqipëria, mbi mënyrat e përdorimit të filmit dokumentar në procesin mësimor. Ato theksuan rëndësinë e zhvillimit të kapaciteteve të mësimdhënësve në krijimin e materialeve didaktike për përdorimin e filmit dokumentar në procesin mësimor, të ndërlidhura me Kornizën e Kurrikulës për Arsimin Parauniversitar dhe avantazhet e tyre si mësimdhënës që nga momenti kur filluan të përdorin filmin në klasën. Shtatëmbëdhjetë mësimdhënës nga qytete të ndryshme të Shqipërisë fillmisht ndoqën sesionin e znj. Thaqi e cila simuloi hapësirën e punëtorisë në një mjedis klase, duke shpjeguar me përpikëri hapat e përfshirë në përdorimin efektiv të filmit për qëllime edukative bazuar në fletë pune, ndërsa znj. Gashi udhëhoqi punëtorinë për krijimin e një flete pune dhe shtjelloi avantazhet e tij gjatë integrimit të filmit në procesin mësimor. Të pranishmit u njohën me Bibliotekën Digjitale të Mësimdhënësit, e cila është një hapësirë e pasur me dokumentarë dhe materiale didaktike për përdorimin e filmit në klasë e ndërtuar për mësimdhënësit, në të cilën duke krijuar llogari përdoruesëve ju krijohet qasja në përdorimin e 157 filmave edukativ dhe 115 fleta të punës të punuara nga kolegët e tyre mësimdhënës. Biblioteka ofron filma dhe materiale përcjellëse arsimore me të cilat nxënësit zhvillojnë njohuritë, shkathtësitë, qëndrimet dhe prirjet që janë të domosdoshme për një shoqëri demokratike. Kjo ndihmon që të zhvillojnë të kuptuarit e tyre mbi botën, njerëzit, vlerat e tyre, proceset shoqërore në kohë, vende dhe rrethana të ndryshme. Gjithashtu, nëpërmjet kësaj fushe ata zhvillojnë edhe të kuptuarit e tyre për mjedisin e vet dhe më gjerë. Pjesa e dytë e ditës përfshiu punë praktike dhe diskutime ku mësimdhënësve iu shfaq filmi dokumentar “Shpresa” nga shkolla e filmit FUTURE IS HERE. Pas shfaqjes mësimdhënësit u ngarkuan me krijimin e fletave të punës për njësitë mësimore bazuar në filmin e shfaqur. Të gjithë pjesëmarrësit krijuan me sukses fletat e punës të cilat do të publikohen në Bibliotekën Digjitale të Mësuesve të DokuFest. Punëtoria ishte e planifikuar në formën që të gjithë pjesëmarrësit të marrin informacione praktike mbi integrimin e filmave dokumentarë dhe mjeteve të tjera të edukimit të medias dhe informacionit në mësimet e tyre, implementimin e mësimit elektronik dhe shfrytëzimin e potencialit të teknologjive të reja digjitale.

"Filmat edukativë si mjete kyçe për të inspiruar ndryshimin dhe për të promovuar dialogun ndërkulturor në shkolla. Një mundësi unike për nxënësit të zhvillojnë aftësi kritike të mendimit, të rrisin ndërgjegjësimin rreth çështjeve sociale dhe kulturore dhe të nxisin një qasje më të hapur dhe të përfshirëse ndaj mësimit. Përmes temave të tyre të fuqishme dhe narrativave të ndikshme, këto filma edukativë janë burime të pasura që mbështesin mësimdhënien inovative dhe kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie më të informuar, të ndërgjegjshme dhe demokratike."