Për qasje të plotë në Bibliotekën Digjitale ju duhet llogari aktive në DokuLab

Llogari e re

EDUKIMI MEDIATIK NË MËSIMDHËNIE

Programi i integrimit të Edukimit Mediatik për mësimdhënësit e Shkollave të Mesme që përdorin mjetet audio-vizuele në mësimdhënie. Projekti u zhvillua në partneritet me Misionin e OSBE-së në Kosovë, financuar nga Ambasada e Norvegjisë në Kosovë, që është pjesë e programit “Shkolla dhe Filmi Dokumentar” e cila përkrahet nga Prince Claus Fund.

Programi ka pasur sesione interaktive nga studiues dhe profesionistë të medias për të nënvizuar rëndësinë e medias dhe ndikimin e saj në funksionimin e përditshëm, specifikisht për të inkorporuar median në edukim në terme të evaluimit të aktiviteteve dhe hulumtimit. Mëposhtë, po i përmbledhim aktivitetet dhe programin e trajnimit kronologjikisht. Punëtoria filloi me prezantimin e moduleve të trajnimit të DokuFest dhe metodologjinë e përdorimit të filmit dokumentar dhe arteve vizuele si mjete shtesë në mësimdhënien tradicionale për të zhvilluar mendimin kritik dhe analitik te nxënësit. Kjo metodë e punës u prezantua nga kreu i DokuLab, Eroll Bilibani. Prof. Ass. Dr. Zamira Hyseni Duraku, nga Departamenti i Psikologjisë pranë Universitetit të Prishtinës, facilitoi punëtorinë dhe orientoi pjesëmarrësit përgjatë punëtorisë katër-ditore. Ajo u fokusua në përparësitë e përgjithshme dhe sfidat që i ka përdorimi i filmit në klasë gjatë mësimdhënies dhe përafrimit të avancuar pedagogjik. Bashkëpunëtorja jonë e kahmotshme dhe përfituese nga projektet tona të mëparshme, znj. Merita Shala, demonstroi shembujt praktik të përshtatjes së metodologjisë së punës me filmin dokumentar dhe Kurrikulën e Kosovës, duke zhvilluar fleta të punës për përdorimin e tyre në klasë. Prof. Kaltrina Kelmendi nga Universiteti i Prishtinës theksoi rëndësinë e medias dhe ndikimin e saj në përditshmëri, duke nënvizuar pjesën e përdorimit të medias në edukim, si aktivitet dhe hulumtim. Pjesa e parë e sesionit u fokusua në definim të medias. Në ndërkohë, u prezantuan edhe të dhëna botërore në përdorim të medias nga adoleshentët (shiko: Teens, Social Media & Technology 2018), si dhe të gjeturat nga studimi i fundit për sigurinë online të fëmijëve në Kosovë (shiko: Siguria e fëmijëve në internet). Specifikisht, prezantimi i këtyre të gjeturave kishte për qëllim ngritjen e diskutimit për përdorimin e gjerë të teknologjisë dhe internetit te adoleshentët dhe prindërit, si dhe të analizohet se si teknologjia mund të kontribuoj në edukim. Pjesëmarrësit në punëtori patën mundësi që të dëgjojnë edhe efektin e Medias në Mësimdhënie dhe Mësimnxënie, që u shpjegua nga Prof. Lindita Tahiri, pjesë kjo që ligjerohet në Fakultetin e Gazetarisë. Pas kësaj aktivisti i njohur kosovar Agon Maliqi foli për propagandën e ditëve të sotme dhe ndikimin e saj në shoqëri. Punëtoria kishte edhe shembuj praktik të prezantuara nga Tijana Bumbuc, që vinte nga Shkolla e Gazetarisë në Novi Sad, pastaj Jeta Rexha nga Shkolla e Mesme "Hajdar Dushi" në Gjakovë dhe dyshja e OSBE-së Kaltrina Hoxha dhe Biljana Nastovska. Pjesa praktike e kësaj punëtorie do të aplikohet në shkolla përgjatë vitit 2020.

"Filmat edukativë si mjete kyçe për të inspiruar ndryshimin dhe për të promovuar dialogun ndërkulturor në shkolla. Një mundësi unike për nxënësit të zhvillojnë aftësi kritike të mendimit, të rrisin ndërgjegjësimin rreth çështjeve sociale dhe kulturore dhe të nxisin një qasje më të hapur dhe të përfshirëse ndaj mësimit. Përmes temave të tyre të fuqishme dhe narrativave të ndikshme, këto filma edukativë janë burime të pasura që mbështesin mësimdhënien inovative dhe kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie më të informuar, të ndërgjegjshme dhe demokratike."