Për qasje të plotë në Bibliotekën Digjitale ju duhet llogari aktive në DokuLab

Llogari e re

PROJEKTI “MOTRA” FITON GRANTIN E PARË

DokuFest ka përfunduar vlerësimin e aplikimeve për projektet filmike në raundin e parë të skemës së granteve MBËSHTETJE PËR VALËN E RE TË FILMBËRËSVE NGA KOSOVA, nga programi ‘Promovimi i Shoqërisë Demokratike përmes Artit dhe Kulturës’, financuar nga Ambasada Suedeze në Kosovë dhe bashkëfinancuar nga Komuna e Prizrenit.

Projekti “MOTRA” nga Albana Nila është përzgjedhur fitues nga komisioni përzgjedhës përbërë nga Melissa Lindgren (kuratore dhe producente e filmit), Blerta Zeqiri (regjisore), Samir Karahoda (regjisor dhe kurator filmi) dhe Veton Nurkollari (kurator filmi). Projekti filmik i Albana Nilës “MOTRA” është një portret i vajzërisë dhe vështirësive të të qenit një vajzë e re në një shoqëri si Kosova. MOTRA nuk është një tregim i një viktime tjetër; është më tepër një tregim i një individi të ri të zgjuar që me ndihmën e motrave të saj e merr çështjen e mirëqenies së saj në duart e saj. Albana është regjisore e lindur në vitin 1999 në Pejë. Aktualisht është në vitin e fundit të studimeve bachelor në Regji Filmi dhe Televizion në Universitetin e Prishtinës. Albana gjithashtu përfundoi një semestër të shkëmbimit me Erasmus+ICM me Universitetin Masaryk për Film dhe Kulturë Audiovizuale, nga Republika Çeke. DokuFest do të mbështesë projektin me 10,000 Euro dhe përveç mbështetjes financiare ekipi artistik i DokuFest do të ofrojë këshillim dhe mentorim për Albana Nilën dhe ekipin e saj gjatë produksionit të filmit. ‘Promovimi i Shoqërisë Demokratike përmes Artit dhe Kulturës’ është një program i DokuFest-it që synon t’u përgjigjet sfidave të shoqërisë bashkëkohore, si erozioni i institucioneve demokratike dhe mungesa e dialogut dhe përfshirjes, duke bashkuar artin dhe kulturën me çështje më të gjera shoqërore. Një nga elementët kyç të këtij programi është dhënia e granteve me qëllim të mbështetjes së talentëve vendas në filmbërje, regjisorëve dhe producentëve të rinj për prodhimin dhe distribuimin e tregimeve lokale në për audiencat ndërkombëtare, duke promovuar kështu tregimet lokale të parë nga këndvështrimi i artistëve të rinjë. Këto grante kanë për qëllim të ofrojnë financim alternativ për realizimin e filmave në Kosovë, që synojnë artistët dhe kineastët e rinj nga Kosova të cilët mund të zhvillojnë dhe finalizojnë projektin brenda një afati kohor të caktuar. Raundi i dytë i thirrjes për projekte do të shpallet në gjysmën e dytë të muajit maj 2022.

"Në zemrën e sfidave shoqërore dhe ndryshimeve globale, arti dhe edukimi bashkohen për të ndriçuar rrugën drejt kuptimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit. Përmes filmave dhe programeve arsimore, të rinjtë marrin fuqinë të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët në harmoni dhe paqe."