Për qasje të plotë në Bibliotekën Digjitale ju duhet llogari aktive në DokuLab

Llogari e re

‘FUTURE IS HERE’ EDICIONI X

Ky vit shënon edicionin e 10-të të punëtorive të filmit ‘Future is Here’ si pjesë e programit ‘Shkollat dhe Dokumentarët’ të mbështetur bujarisht nga National Endowment for Democracy.

I inicuar në vitin 2013, ky program i DokuFest-it krijoi mundësi unike për gjenerata duke ofruar mjete për fuqizim me anë të inkurajimit të vetë-shprehjes. Deri më sot, 82 studentë kanë ndjekur me sukses seminaret e udhëhequra nga tutorët Blerta Zeqiri, Samir Karahoda, Andrijana Stojkovic, Emilio Guerra, Guillermo Carreras-Candi, Gazmend Bajri, Pamela Cohn, të cilët udhëhoqën nxënësit e shkollave të mesme në realizimin e filmave dokumentarë krijues mbi tema sociale dhe të orientuara nga të drejtat e njeriut. Këtë edicion ftuam 18 të rinj në mbarë Kosovën nga 150 aplikantë që t'i bashkohen gjeneratës 2022 të 'Future is Here’. E limituar nga kufizimet pandemike, shumica e leksioneve u zhvilluan online, me vetëm disa leksione praktike dhe trajnime që u zhvilluan në prani të lehtësuesve. Të udhëhequr nga mentorja kryesore Blerta Zeqiri dhe të ndihmuar nga Veton Nurkollari dhe Eroll Bilibani, studentët patën mundësinë të shikonin filma, të përfshiheshin në sesione pyetjesh dhe përgjigjesh me kineastët dhe të mësonin nga një gamë e gjerë profesionistësh dhe artistësh të filmit, përfshirë Samir Karahoda, Enis Saraçi, Andrijana Stojković, Dea Gjinovci, Sevdije Kastrati, Thomas Logoreci, Antoneta Kastrati, Pëllumb Ballata, Bujar Kabashi, Leart Rama dhe Edona Vatoci. Samir Karahoda zhvilloi gjithashtu një trajnim gjysmë ditor mbi kinematografinë dhe përdorimin praktik të kamerës në realizimin e filmave dokumentarë krijues. Studentët arritën të përfundojnë xhirimet e tyre fillestare dhe do të ribashkohen në një kamp montazhi për të finalizuar filmat e tyre ku do të asistohen nga redaktori Enis Saraçi dhe dy nga ish-studentët e 'Future is Here' Leart Rama dhe Flutura Balaj të cilët ndoqën të njëjtin program trajnimi në 2016 (Leart Rama) dhe 2018 (Flutura Balaj). "Ky vit jubilar i shkollës së filmit dokumentar FUTURE IS HERE solli në jetë ide shumë të veçanta filmike të të rinjëve. Vit pas viti idetë e studentëve dhe realizimet e tyre po janë shumë më diverse dhe të guximshme. Përgjatë qëndrimit në Prizren ata patën mundësi të ndjekin ligjerata mjaft inspiruese nga regjisorë dhe profesionistë të fushës, të cilët ua lehtësuan zhytjen në botën e filmit. Studentët e këtij edicioni janë aset i shtuar i shkollës ku na kanë motivuar edhe neve si menaxhment t’a zhvillojmë edhe më shumë shkollën tonë të filmit për vitet e ardhshme," shtoi Malbora Krajku, menaxherja e projektit. Nëpërmjet programit, përveç aftësive filmbërëse, të rinjve u ofrua fjala për të debatuar mbi çështje të ndryshme sociale të shqetësimit të tyre imediat, duke i angazhuar ata në dialogun ndërkulturor për identitetin, të drejtat e njeriut, barazinë gjinore, ndryshimet klimatike, kulturën etj.

"Shkolla e filmit 'Future is Here' në DokuFest m'i ka ndërtuar shkathtësitë në përdorimin e programeve profesionale të editimit. Këto më kanë ndihmu me u përfshi profesionalisht në Qendrën Mediale të Universitetit Jacobs në Gjermani, ku në 2 vitet e fundit krijoj përmbajtje mualtimediale për komunikim shkencor."


Flutura Balaj, Studente, Fizikë dhe Shkenca të Tokës, Universiteti Jacobs - Bremen, Gjermani