Printo

Fleta e punës për përdorimin e filmit në klasë

Worksheets

Filmi

Stacioni i autobusit


Lënda

Psikologji


Përgatitur nga

Jeta Rexha, SH. M. "Hajdar Dushi" Gjakovë

Kjo fletë e punës është përgatitur nga programi DokuLab i DokuFest në kuadër të grantit "Film & Factual Media: Educating 4 Equality". Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Të drejtat autoriale të fletës së punës i takojnë DokuFest dhe nuk mund të përdoret pa miratim paraprak nga DokuFest.

Worksheets
Stacioni i autobusit

Përshkrimi i filmit

Filmi dokumentar “Stacioni i autobusit” flet për një grua të moshuar Anxhela e cila ngacmohet nga një grup adoleshentësh. Një nga ngacmuesit, Karteri, në një moment të papritur për të, ballafaqohet sërish me gruan e që çon në një rezultat të papritur. Filmi fillon pikërisht me tre adoleshentët që e sulmojnë mbrapa në kokë gruan.

Pavarësisht kësaj, të tre djemtë nuk i kërkojnë falje për sjelljen e tyre por vazhdojnë ta nënçmojnë duke e quajtur kokë-thinjur. Por ndodh diçka e papritur. Njëri nga ngacmuesit, Karter, qëlloi që Anxhelan, gruan që  ditë më parë e ngacmoi, tashmë e kishte fqinj. Nëna e tij dhe Karter kishin shkuar në shtëpi te Anxhelas. Karter u habit kur e pa!

Anxhela kishte punuar si mësuese. Nëna e Karterit shpreh dëshirën që Anxhela të punojë me djalin e saj meqë ky kishte probleme me nota. Anxhela pranoi të ishte mësuese e Karterit, pavarësisht që djali nuk donte që Anxhela të ishte mësuesja e tij. Karter filloi të ndjek mësimet tek Anxhela. Nuk ishte dëshira e tij, por detyrimi i nënës.

Metoda e mësimdhënies që zgjodhi Anxhela për ta edukuar Karterin, bëri që Karter të ndryshojë jo vetëm sjellje por edhe qëndrim se si duhet të trajtohet një person në moshë.

Njësia mësimore

—Mosha e rritur dhe pleqëria

Fushat e kurrikulës

—Shoqëria dhe Mjedisi

Përshtatshëm për

Shkallën: 5, 6
Klasët: XI, XII

Kompetencat

◎ Kompetenca e komunikimit dhe të të shprehurit - Komunikues efektiv (Shprehet përmes një forme të komunikimit, për një temë të caktuar në një material prej 200 fjalësh dhe veçon çështjet kryesore të ngritura në material (prezantim).

◎ Kompetenca e të menduarit - Mendimtar kreativ (Në forma të ndryshme të të shprehurit prezanton mënyrën e grumbullimit, të zgjedhjes dhe të klasifikimit të informatave për fusha të ndryshme mësimore apo temë të caktuar, ofron argumente për zhvillimet aktuale lidhur me temën përkatëse (p.sh., temë nga shkenca, nga kultura, nga mjedisi etj).

◎ Kompetenca e të nxënit - Nxënës i suksesshëm (Demonstron shkathtësi funksionale në lexim-shkrim, në matematikë, në jetën e përditshme, në përmbushjen e kërkesave të ndryshme për kryerjen e një detyre apo aktiviteti dhe gjatë të nxënit të dijeve të reja në ndonjë fushë të caktuar mësimore.)

◎ Kompetenca qytetare - Qytetar i përgjegjshëm (Demonstron veprime të ndryshme që shprehin tolerancë (klasë, shkollë, lagje, etj.) dhe i shpjegon ato në një debat me të tjerët.)

Rezultatet e të nxënit

⦿ Përshkruan ndryshimet fizike në moshën e rritur;

⦿ Njeh karakteristikat e zhvillimit mendor tek të rriturit;

⦿ Vlerëson rëndësinë e zhvillimit socio-emocional në moshën e rritur.

DokuLab
Stacioni i autobusit

Shfaqja e facilituar

Shfaqja e facilituar bazohet në ciklin e mësimnxënies. Një shfaqje filmi pasohet nga një diskutim me audiencën. Ky proces ndihmon audiencën që të shikojnë filmin me sy kritik, reflektojnë, angazhohen duke parë problemin lokal në kontekst global dhe përfundimisht të merren me veprime të duhura që mund të ndikojnë në ndryshim shoqëror. Ky udhëzues e faciliton diskutimin në ambient të klasës.

Shikoni filmin. Publiku e shikon filmin si grup.

Reflektoni mbi filmin. Pas shfaqjes, audienca reflekton mbi filmin e shiquar, duke i ndarë pikëpamjet, ndjenjat dhe reagimet e tyre. Thelbësore për këtë qasje është njohja që çdo individ ka ide dhe mban vlera që janë të rëndësishme për ta. Duke e ndarë këtë, njohja dhe respektimi i ideve, ndjenja dhe vlerave të ndryshme ndihmon audiencën për të mësuar nga njëri-tjetri.

Shihni përtej kontekstit lokal. Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit duhet të ekzaminojnë, debatojnë dhe analizojnë çështjet e ngritura në film. Për të marrë këtë më tej, audienca inkurajohet të lidh filmin dhe çështjet në jetën e tyre dhe t’i kuptojnë më mirë njohuritë e përbashkëta që ata posedojnë.

Vepro. Audienca i konsideron veprimet që mund të ndërmarrin për të adresuar varfërinë dhe pabarazinë në jetën e tyre dhe të komuniteteve, vendeve por edhe në nivel ndërkombëtar.

DokuLab
Stacioni i autobusit
Stacioni i autobusit

Pikat e diskutimit

  1. Cilat janë karakteristikat fizike në moshën e rritur të hershme?
  2. Cilat janë karakteristikat fizike në moshën e rrritur të mesme?
  3. Cilat janë karakteristikat fizike në moshën e rritur të vonë?
  4. Mendimi postformal, inteligjenca fluide dhe e kristalizuar kujt i referohet?
  5. Cilat janë aspektet kryesore që prekin zhvillimin socio-emocional në moshën e rritur të hershme, mesme dhe vonshme?
  6. Si trajtohen në shoqërinë tonë personat në moshë të vonë?
  7. A mendoni që kur një burrë/grua pensionohet, mund ta vazhdojë akoma të jap kontribut në shoqëri?


Aktivitetet

Hapi I: Stuhi mendimesh

Pasi mësuesi/ja prezanton temën e mësimit në tabelë, nxënësit nxiten në një diskutim për pyetjet e mëposhtme: -Çfarë përfaqëson mosha e rritur? -Po pleqëria? Mësuesi/ja shënon në tabelë përgjigjet e nxënësve.

Hapi II: Tabela e koncepteve

Klasa organizohet në tri grupe pune. Në tri fleta A4 të veçantë shënohen çështjet kyçe. Nxënësit orientohen që të lexojnë tekstin dhe të plotësojnë tabelat me çdo informacion që ata mendojnë se është i rëndësishëm. TABELA përmban këto kolona: Ndryshimet fizike në moshën e rritur / Zhvillimi mendor / Zhvillimi socio-emocional në moshën e rritur. Më pas, nxënësit diskutojnë së bashku për materialet e përzgjedhura, të cilat prezantohen nga liderët e grupeve.

Hapi III: Shkrim i lirë

Çfarë marrëdhëniesh keni me gjyshërit tuaj?

Vlerësimi

Vlerësohen nxënësit që kanë sjellë shembuj të qartë lidhur me temën. Vlerësohet aftësia për të pranuar opinionet e kundërta gjatë diskutimit.

DokuLab

Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG), të njohura gjithashtu si Qëllimet Globale, u miratuan nga të gjitha Shtetet Anëtare të Kombeve të Bashkuara në 2015 si një thirrje universale për veprim për t’i dhënë fund varfërisë, për të mbrojtur planetin dhe për të siguruar që të gjithë njerëzit të gëzojnë paqe dhe prosperitet deri në vitin 2030.

17 SDG janë të integruara - domethënë, ata e pranojnë që veprimi në një zonë do të ndikojë në rezultatet në të tjerët, dhe se zhvillimi duhet të balancojë qëndrueshmërinë sociale, ekonomike dhe mjedisore. Nëpërmjet premtimit për të lënë askend pas, vendet janë zotuar të ndjekin përparimin e shpejtë për ata më të rrezikuarit sa më parë. Kjo është arsyeja pse SDG-të janë krijuar për të sjellë botën në disa ‘zero’ që ndryshojnë jetën, duke përfshirë zero varfërinë, urinë, SIDA’n dhe diskriminimin ndaj grave dhe vajzave.

Të gjithë janë të nevojshëm për të arritur këto objektiva ambiciozë. Krijimtaria, njohuria, teknologjia dhe burimet financiare nga e gjithë shoqëria është e nevojshme për të arritur SDG-të në çdo kontekst.

DokuFest përmes programit edukativ në kuadër të departamentit DokuLab është përkushtuar që të senzibilizojë rininë, për të mësuar më shumë për Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm kryesisht përmes shfaqjeve të filmave nëpër shkolla dhe trajnimit të mësimdhënësve në përdorimin e filmit dhe mjeteve audiovizuale në procesin mësimor.

Ky udhëzues është prodhuar me këtë qëllim dhe është i bashkërenduar me kornizën kurrikulare të arsimit parauniversitar.

Për të kërkuar shfaqjen e filmit vizitoni Bibliotekën Digjitale të Mësimdhënesit.