Printo

Fleta e punës për përdorimin e filmit në klasë

Worksheets

Filmi

Devolucion


Lënda

Edukatë Qytetare


Përgatitur nga

Merita Shala, SH. M. "Ahmet Gashi" Prishtinë

Të drejtat autoriale të fletës së punës i takojnë DokuFest dhe nuk mund të përdoret pa miratim paraprak nga DokuFest.

Worksheets
Devolucion

Përshkrimi i filmit

“Zhvillimi tekniko-teknologjik do të sjellë botë idiotësh” — Albert Ajshtajn.

Derisa dëgjohen cicërimat e zogjëve dhe shohim parqe të zbrazura, ku mungojnë fëmijët duke u argëtuar, njëkohësisht në prapavijë dëgjohen krismat e armëve që vijnë nga ekrani i Lorisit i cili është i shtrirë në shtartin e tij duke u argëtuar me video-lojëra. Sot fëmijëve u pëlqen që të kalojnë  kohën duke luajtur me video-lojëra. Ndikimi i video-lojërave e sidomos ato të dhunshme tek fëmijët në ditët e sotit është i madh. Video-lojërat kanë efekt pozitiv (video-lojëra edukativo-kreative) dhe negativ, që janë më të popullarizuara dhe më të përdoruara e që përmbajnë zakonisht dhunë, armë dhe luftë. Fëmijët krijojnë sjellje të dhunshme dhe bëhen antisocial gjatë ekspozimit të tyre në video-lojëra.

Filmi dokumentar “Devolucion” përpos që shpërfaq varësinë nga teknologjia, gjithashtu paraqet aktivitetin fizik përmes së cilit Lorisi argëtohet. Përmes lojës së futbollit fëmiu mëson, ushtron dhe ndërvepron me fëmijët e tjerë duke krijuar lidhje shoqërore dhe shkëmbim të përvojave dhe ideve.

Në fund shohim se përkundër argëtimit përmes lojës së futbollit ai përsëri iu nënshtrohet dhe ekspozohet video-lojërave duke krijuar varësi dhe boshllëk në përditshmëri. Kështu që adoleshentët janë të ekspozuar ndaj rreziqeve të shumta gjatë përdorimit të teknologjisë që gjithashtu ndikon në shëndetin e tyre psiko-social.

Njësia mësimore

—Interneti dhe roli i tij në shoqërinë e sotme

Fushat e kurrikulës

—Shoqëria dhe mjedisi

Përshtatshëm për

Shkalla kurrikulare 5, 6; 
Klasa: XI, XII.

Kompetencat

◎ Kompetenca për jetë, punë dhe mjedis – Kontribues produktiv; 4, 6, 8, 9.

◎ Vlërësimi: Nxënësit vlerësohen gjatë anagazhmit të tyre në klasë dhe argumenteve që parashtrojnë rreth temës, diskutimit dhe shënimeve që paraqesin në fletë.

Rezultatet e të nxënit

⦿ Njeh rolin e internetit në komunikimin ndërpersonal;

⦿ Kupton ndikimin e tij në jetën e adoleshentëve;

⦿ Dallon rreziqet që vijnë prej tij, veçanërisht për fëmijët.

DokuLab
Devolucion

Shfaqja e facilituar

Shfaqja e facilituar bazohet në ciklin e mësimnxënies. Një shfaqje filmi pasohet nga një diskutim me audiencën. Ky proces ndihmon audiencën që të shikojnë filmin me sy kritik, reflektojnë, angazhohen duke parë problemin lokal në kontekst global dhe përfundimisht të merren me veprime të duhura që mund të ndikojnë në ndryshim shoqëror. Ky udhëzues e faciliton diskutimin në ambient të klasës.

Shikoni filmin. Publiku e shikon filmin si grup.

Reflektoni mbi filmin. Pas shfaqjes, audienca reflekton mbi filmin e shiquar, duke i ndarë pikëpamjet, ndjenjat dhe reagimet e tyre. Thelbësore për këtë qasje është njohja që çdo individ ka ide dhe mban vlera që janë të rëndësishme për ta. Duke e ndarë këtë, njohja dhe respektimi i ideve, ndjenja dhe vlerave të ndryshme ndihmon audiencën për të mësuar nga njëri-tjetri.

Shihni përtej kontekstit lokal. Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit duhet të ekzaminojnë, debatojnë dhe analizojnë çështjet e ngritura në film. Për të marrë këtë më tej, audienca inkurajohet të lidh filmin dhe çështjet në jetën e tyre dhe t’i kuptojnë më mirë njohuritë e përbashkëta që ata posedojnë.

Vepro. Audienca i konsideron veprimet që mund të ndërmarrin për të adresuar varfërinë dhe pabarazinë në jetën e tyre dhe të komuniteteve, vendeve por edhe në nivel ndërkombëtar.

DokuLab
Devolucion
Devolucion

Pikat e diskutimit

  1. Interneti dhe roli i tij
  2. Efektet pozitive dhe negative të përdorimit të teknologjisë (video-lojërat tek fëmijët)
  3. Rreziqet që vijnë nga përdorimi i teknologjisë
  4. Cilat aspekte të jetës sonë ka ndryshuar përdorimi i teknologjisë?
  5. Si mund të ndikojë interneti për shtimin e aktiviteteve sociale?
  6. A mund të shmangen rreziqet e internetit?
  7. Sa e përdorin adoleshentët internetin dhe për çfarë?
  8. Përse është i nevojshëm ai?


Aktivitetet

Evokim: Brainstorming, shikim i filmit

Mësimdhënësi/ja bashkë me nxënësit shikojnë filimin dokumentar “Devolucion” dhe shtron pyetje për diskutim: — Çfarë teme trajton ky film dokumentar dhe çfarë ndjesie ju sjelli gjatë shikimit? — A e përdorni ju internetin dhe për çfarë? — Përse është i nevojshëm ai? — Nxënësit ndajnë mendimet e tyre në klasë dhe diskutojnë rreth temës.

Realizim: Grupi i ekspertëve

Klasa ndahet në dy grupe ekspertësh. Secili pozicionohet në njërin grup dhe mbronë tezën e tij përmes argumenteve të fuqishme. Eksperti 1 – Interneti dhe rëndësia e tij (Pro përdorimit të internetit); Eksperti 2 – Interneti dhe rreziqet e tij (Kundër përdorimit të internetit). Mësimdhënsi/ja u kërkon nxcënësve të shfletojnë për pak minuta tekstin. Shënimet e tyre duhet t’i mbajnë në fleta, formati A4. Përfundimet diskutohen në klasë duke plotësuar edhe skicën: Interneti [pro e kundër].

Reflektim: Imagjinatë e drejtuar

Nxënsit diskutojnë, mendojnë dhe imagjinojnë rreth botës së ardhshme dhe çfarë do të sjellë tutje avansimi dhe zhvillimi tekniko-teknologjik. Përmes ndonjë vizatimi paraqesin se si do të duket e ardhmja jonë në këtë zhvillim të hovshëm teknologjik dhe a kanë frikë nga e ardhmja? — Detyrë shtëpie: Ndikimi i internetit dhe krijimi i marrëdhënieve mes adoleshentëve, familjes.

DokuLab

Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG), të njohura gjithashtu si Qëllimet Globale, u miratuan nga të gjitha Shtetet Anëtare të Kombeve të Bashkuara në 2015 si një thirrje universale për veprim për t’i dhënë fund varfërisë, për të mbrojtur planetin dhe për të siguruar që të gjithë njerëzit të gëzojnë paqe dhe prosperitet deri në vitin 2030.

17 SDG janë të integruara - domethënë, ata e pranojnë që veprimi në një zonë do të ndikojë në rezultatet në të tjerët, dhe se zhvillimi duhet të balancojë qëndrueshmërinë sociale, ekonomike dhe mjedisore. Nëpërmjet premtimit për të lënë askend pas, vendet janë zotuar të ndjekin përparimin e shpejtë për ata më të rrezikuarit sa më parë. Kjo është arsyeja pse SDG-të janë krijuar për të sjellë botën në disa ‘zero’ që ndryshojnë jetën, duke përfshirë zero varfërinë, urinë, SIDA’n dhe diskriminimin ndaj grave dhe vajzave.

Të gjithë janë të nevojshëm për të arritur këto objektiva ambiciozë. Krijimtaria, njohuria, teknologjia dhe burimet financiare nga e gjithë shoqëria është e nevojshme për të arritur SDG-të në çdo kontekst.

DokuFest përmes programit edukativ në kuadër të departamentit DokuLab është përkushtuar që të senzibilizojë rininë, për të mësuar më shumë për Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm kryesisht përmes shfaqjeve të filmave nëpër shkolla dhe trajnimit të mësimdhënësve në përdorimin e filmit dhe mjeteve audiovizuale në procesin mësimor.

Ky udhëzues është prodhuar me këtë qëllim dhe është i bashkërenduar me kornizën kurrikulare të arsimit parauniversitar.

Për të kërkuar shfaqjen e filmit vizitoni Bibliotekën Digjitale të Mësimdhënesit.