Thirrje për aplikim

Thirrje për aplikim

DokuFest, në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë, fton mësimdhënësit që ligjerojnë lëndët mësimore të fushave kurrikulare Gjuhët dhe komunikimi, Artet, Shoqëria dhe mjedisi dhe Jeta dhe puna, të shkallëve kurrikulare 5 dhe 6 (klasat X-XII), të aplikojnë për punëtorinë që mbahet më 7-11 nëntor 2019.

Punëtoria organizohet në kuadër të projektit “Përfshirja e edukimit mediatik dhe informativ në arsimin e mesëm, të lartë dhe joformal në Kosovë” mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë Norvegjeze në Prishtinë.

Qëllimi i punëtorisë është fuqizimi i mësimdhënësve për të facilituar procesin mësimor, përmes përdorimit të mjeteve dhe edukimit dhe informimit mediatik. Punëtoria në veçanti do të fokusohet në perspektivën e të nxënit gjatë gjithë jetës, duke i kushtuar vëmendje të veçantë mësimit për të nxënë, zotësisë për vlerësimin dhe procedimin efektiv e të ndërgjegjshëm të informacionit, të nxënit elektronik dhe aftësisë për shfrytëzimin e teknologjive të epokës digjitale.

Modulet e punëtorisë përfshijnë ligjeratat për efektet pozitive dhe negative të mediave, metodat e vlerësimit kritik dhe kuptimit të mesazheve mediatike.

Inkurajohen mësimdhënësit që janë të gatshëm për bashkëpunim në adresimin e çështjeve ndërkurrikulare që përfshijnë edukimin për media, edukimin për shoqëri demokratike, edukimi për paqe dhe arsimi për zhvillim të qëndrueshëm. Për më tepër, inkurajohen mësimdhënësit që aplikojnë forma të organizimit mësimor, që kanë për qëllim zhvillimin e vetëbesimit, iniciativës, zgjidhjen e problemeve dhe stimulimin e kreativitetit të nxënësve.

Për shkak të numrit të limituar të vendeve, përzgjedhja e mësimdhënësve do të bëhet përmes vlerësimit të aplikacionit.

Të interesuarit mund të aplikojnë deri më 23 tetor 2019 përmes formës në vijim: APLIKO KËTU

DokuLab

Departamenti edukativ i DokuFest - DokuLab menaxhon Qendrën e Produksionit të Filmit për të Rinjë dhe fuqizon mësimdhënësit në përdorimin e mjeteve audio-vizuele në procesin mësimor dhe ndërlidhjen e tyre me metodat tradicionale, e që adresojnë çështjet komplekse, zhvillojnë mendimin kritik dhe promovojnë zhvillimin shoqëror tek të rinjtë.

DokuLab Logo