Printo

Fleta e punës për përdorimin e filmit në klasë

Aplikimi i automatizimit të proceseve

Filmi

Ustah


Lënda

Automatizimi i proceseve me gjuhë skriptuese


Përgatitur nga

Arita Zogjani, SH. M. "11 marsi" Prizren

Të drejtat autoriale të fletës së punës i takojnë DokuFest dhe nuk mund të përdoret pa miratim paraprak nga DokuFest.

Aplikimi i automatizimit të proceseve
Ustah

Përshkrimi i filmit

Filmi “Ustah” është një film i shkurtër artistik që sjell në vëmendje rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe profesionale në qytetin historik të Prizrenit. Ky film përqendrohet në dokumentimin dhe promovimin e zanateve tradicionale, të cilat janë kaluar nga një brez në tjetrin, duke ruajtur identitetin dhe shpirtin e qytetit. 

Në skenat e filmit, shfaqet përditshmëria e disa prej profesioneve më të njohura dhe autentike, si rrobaqepësia, këpucëtaria dhe puna në sallonet e bukurisë. Kamera ndjek me kujdes mjeshtrit e këtyre zanateve në punën e tyre të përditshme, duke dokumentuar çdo detaj të procesit, nga përgatitja e mjeteve të punës deri te realizimi përfundimtar i produkteve apo shërbimeve. 

Përmes punës së tyre, mjeshtrit jo vetëm që tregojnë përkushtimin dhe aftësitë e tyre të jashtëzakonshme, por edhe pasionin për ruajtjen e vlerave tradicionale. Filmi eksploron gjithashtu sfidat që ata përballojnë në një botë moderne, ku teknologjia dhe ndryshimet ekonomike shpesh sfidojnë qëndrueshmërinë e këtyre profesioneve. 

Me një stil vizual të detajuar dhe një narrativë inspiruese, “Ustah” na bën të reflektojmë mbi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe rolin e mjeshtrave të këtyre profesioneve si kujdestarë të historisë dhe traditës së pasur të Prizrenit. Ky film është një homazh për mjeshtërinë, këmbënguljen dhe shpirtin krijues të këtyre “ustah”-ëve, duke i dhënë vlerë jo vetëm punës së tyre, por edhe ndikimit që ata kanë në komunitet dhe kulturën lokale.

Njësia mësimore

—Aplikimi i automatizimit të proceseve

Fushat e kurrikulës

—Jeta dhe puna

Përshtatshëm për

Shkalla 6;
Klasa XII.

Kompetencat

◎ Kompetenca e të menduarit
◎ Kompetenca e komunikimit
◎ Kompetenca e të mësuarit

Rezultatet e të nxënit

⦿ Analizon proceset manuale të zanateve tradicionale
⦿ Kupton konceptin e automatizimit
⦿ Krahason mes metodave tradicionale dhe atyre të automatizuara
⦿ Propozon zgjidhje për automatizimin
⦿ Zhvillon aftësi praktike dhe reflektuese

DokuLab
Ustah

Shfaqja e facilituar

Shfaqja e facilituar bazohet në ciklin e mësimnxënies. Një shfaqje filmi pasohet nga një diskutim me audiencën. Ky proces ndihmon audiencën që të shikojnë filmin me sy kritik, reflektojnë, angazhohen duke parë problemin lokal në kontekst global dhe përfundimisht të merren me veprime të duhura që mund të ndikojnë në ndryshim shoqëror. Ky udhëzues e faciliton diskutimin në ambient të klasës.

Shikoni filmin. Publiku e shikon filmin si grup.

Reflektoni mbi filmin. Pas shfaqjes, audienca reflekton mbi filmin e shiquar, duke i ndarë pikëpamjet, ndjenjat dhe reagimet e tyre. Thelbësore për këtë qasje është njohja që çdo individ ka ide dhe mban vlera që janë të rëndësishme për ta. Duke e ndarë këtë, njohja dhe respektimi i ideve, ndjenja dhe vlerave të ndryshme ndihmon audiencën për të mësuar nga njëri-tjetri.

Shihni përtej kontekstit lokal. Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit duhet të ekzaminojnë, debatojnë dhe analizojnë çështjet e ngritura në film. Për të marrë këtë më tej, audienca inkurajohet të lidh filmin dhe çështjet në jetën e tyre dhe t’i kuptojnë më mirë njohuritë e përbashkëta që ata posedojnë.

Vepro. Audienca i konsideron veprimet që mund të ndërmarrin për të adresuar varfërinë dhe pabarazinë në jetën e tyre dhe të komuniteteve, vendeve por edhe në nivel ndërkombëtar.

DokuLab
Ustah
Ustah

Pikat e diskutimit

  1. Pikat e diskutimit janë të përfshira te aktivitetet.


Aktivitetet

Parashikimi i njohurive - Stuhi mendimesh

Shikohet filmi. Filloni me një pyetje të përgjithshme për të nxitur mendimin e lirë:

◼ Çfarë është automatizimi, sipas jush?

◼ A mendoni se profesione si rrobaqepësia apo këpucëtaria mund të përfitojnë nga teknologjia? Si?

◼ Cilat janë disa procese që mund të përmirësohen përmes automatizimit?

Ndërtimi i njohurive - Puna në grupe

1. Prezantimi i detyrës për grupet (5 minuta) Shpjegoni nxënësve qëllimin e aktivitetit: “Secili grup do të punojë për të identifikuar mënyra se si mund të aplikojmë automatizimin e proceseve në profesionet tradicionale të përmendura.” Prezantoni profesionet që secili grup do të trajtojë dhe theksoni rëndësinë e përfshirjes së gjithë anëtarëve të grupit në diskutim. Ndarja e grupeve: Grupi 1: Rrobaqepësia. Grupi 2: Salloni i bukurisë. Grupi 3: Këpuctaria.

2. Organizimi i punës brenda grupeve (5 minuta) Kërkojuni çdo grupi të zgjedhë: ⦿ Një raportues: Për të prezantuar rezultatet e punës së grupit. ⦿ Një koordinator: Për të mbajtur grupin të fokusuar dhe për të menaxhuar kohën. Siguroni materiale ndihmëse për secilin grup: fletë pune me pyetje udhëzuese ose shembuj të thjeshtë të automatizimit. 

3. Diskutimi dhe zhvillimi i ideve (15 minuta) Çdo grup diskuton brenda temës së caktuar duke iu përgjigjur pyetjeve si:  

⦿ Rrobaqepësia: Cilët hapa në qepje mund të automatizohen?  Si do të ndihmonin makineritë apo softuerët në përmirësimin e punës? Si mund të mbetet i veçantë elementi artizanal?  

⦿ Salloni i bukurisë: Cilat shërbime mund të bëhen më të shpejta përmes teknologjisë? Si mund të ndihmojnë pajisjet moderne në trajtime të ndryshme? Cilat shërbime do të mbeten të personalizuara? 

⦿ Këpuctaria: Si mund të automatizohen riparimet ose prodhimi i këpucëve? Cilat mjete teknologjike mund të përdoren për të përshpejtuar proceset? Si mund të ruhet cilësia tradicionale? 

Nxënësit shkruajnë idetë kryesore në fletë pune ose një tabelë të madhe.

4. Prezantimi i rezultateve të grupeve (10 minuta) Çdo grup prezanton idetë e tyre në mënyrë të shkurtër (3 minuta për grup). Raportuesit përshkruajnë proceset që mund të automatizohen dhe përfitimet e mundshme. Koha për pyetje nga grupet e tjera ose mësuesi për të nxitur diskutim dhe reflektim.  

Përforcimi i njohurive - Diskutim i lirë

Përmblidhni idetë kryesore nga secili grup dhe vlerësoni kreativitetin e tyre. Pyetni nxënësit:  

◼ Si mendoni se do të ndikonte automatizimi në ruajtjen e trashëgimisë kulturore?

◼ A ka procese që nuk duhet të automatizohen? Pse?

DokuLab

Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG), të njohura gjithashtu si Qëllimet Globale, u miratuan nga të gjitha Shtetet Anëtare të Kombeve të Bashkuara në 2015 si një thirrje universale për veprim për t’i dhënë fund varfërisë, për të mbrojtur planetin dhe për të siguruar që të gjithë njerëzit të gëzojnë paqe dhe prosperitet deri në vitin 2030.

17 SDG janë të integruara - domethënë, ata e pranojnë që veprimi në një zonë do të ndikojë në rezultatet në të tjerët, dhe se zhvillimi duhet të balancojë qëndrueshmërinë sociale, ekonomike dhe mjedisore. Nëpërmjet premtimit për të lënë askend pas, vendet janë zotuar të ndjekin përparimin e shpejtë për ata më të rrezikuarit sa më parë. Kjo është arsyeja pse SDG-të janë krijuar për të sjellë botën në disa ‘zero’ që ndryshojnë jetën, duke përfshirë zero varfërinë, urinë, SIDA’n dhe diskriminimin ndaj grave dhe vajzave.

Të gjithë janë të nevojshëm për të arritur këto objektiva ambiciozë. Krijimtaria, njohuria, teknologjia dhe burimet financiare nga e gjithë shoqëria është e nevojshme për të arritur SDG-të në çdo kontekst.

DokuFest përmes programit edukativ në kuadër të departamentit DokuLab është përkushtuar që të senzibilizojë rininë, për të mësuar më shumë për Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm kryesisht përmes shfaqjeve të filmave nëpër shkolla dhe trajnimit të mësimdhënësve në përdorimin e filmit dhe mjeteve audiovizuale në procesin mësimor.

Ky udhëzues është prodhuar me këtë qëllim dhe është i bashkërenduar me kornizën kurrikulare të arsimit parauniversitar.

Learn about SDG’s