Printo

Fleta e punës për përdorimin e filmit në klasë

Format e komunikimit - Monologu

Filmi

Ratrak


Lënda

Gjuhë Shqipe


Përgatitur nga

Anita Krasniqi, SH. F. "Mushnikova" Mushnikovë

Të drejtat autoriale të fletës së punës i takojnë DokuFest dhe nuk mund të përdoret pa miratim paraprak nga DokuFest.

Format e komunikimit - Monologu
Ratrak

Përshkrimi i filmit

Filmi “Ratrak” është një udhëtim emocional ku gërshetohet me delikatesë e shkuara dhe e tashmja e dy skiatoreve. Në fijen e perit që i ndanë këto dy kohë, dy ish-skiatoret zhyten në kujtimet  e viteve të fëmijërisë, duke kujtuar me nostalogji sfidat, vështirësitë e veçmas ato kohë kur gjendjen e tyre emocionale e kuptonin vetëm shtigjet e heshtura e malet me borë. 

Përveç historisë personale që shpalosin, ato reflektojnë fuqinë e sportit në tejkalimin e situatave të ndryshme dhe lidhjen e thellë që krijon pasioni për sportin dhe mënyrën se si sporti, natyra, sfidat e vështirësitë gjatë fëmijërisë  na formësojnë si individë. Edhe pse filmi në formë dialogu shpalos kujtimet e fëmijërisë, thellë brenda përmbajtjes së filmit mund të shohim qartë se në vete është një monolog, ku personazhet në fjalë ofrojnë një dritare rreth mendimeve, frikërave, dëshirave e madje duke paraqitur karakterin e tyre kompleks në dy kohë paralele. 

Njësia mësimore

—Format e komunikimit - Monologu

Fushat e kurrikulës

—Gjuhë dhe komunikim

Përshtatshëm për

Shkalla 3,
Klasa VII.

Kompetencat

◎  Kompetenca komunikim dhe të shprehur;
◎  Kompetenca të menduarit;
◎  Kompetenca të mësuarit;
◎  Kompetenca për jetë për punë dhe për mjedis;
◎  Kompetenca personale;
◎  Kompetenca qytetare.

Rezultatet e të nxënit

⦿  Identifikon karakteristikat e dy formave të komunikimit (dialogut dhe monologut),
⦿  Diskuton me shokun/shoqen për ngjarje të përjetuara më parë,
⦿  Tregon vetëbesim për punë të pavarur,
⦿ Interpreton idenë, rrëfimin e ngjarjes në formë të qartë dhe të organizuar,
⦿  Krahason mënyrën e të shprehurit në dy rastet e të folurit (me shokun/shoqen dhe vetëm përballë gjithë klasës),
⦿  Krijon një ngjarje të përjetuar më parë në formën e monologut.

DokuLab
Ratrak

Shfaqja e facilituar

Shfaqja e facilituar bazohet në ciklin e mësimnxënies. Një shfaqje filmi pasohet nga një diskutim me audiencën. Ky proces ndihmon audiencën që të shikojnë filmin me sy kritik, reflektojnë, angazhohen duke parë problemin lokal në kontekst global dhe përfundimisht të merren me veprime të duhura që mund të ndikojnë në ndryshim shoqëror. Ky udhëzues e faciliton diskutimin në ambient të klasës.

Shikoni filmin. Publiku e shikon filmin si grup.

Reflektoni mbi filmin. Pas shfaqjes, audienca reflekton mbi filmin e shiquar, duke i ndarë pikëpamjet, ndjenjat dhe reagimet e tyre. Thelbësore për këtë qasje është njohja që çdo individ ka ide dhe mban vlera që janë të rëndësishme për ta. Duke e ndarë këtë, njohja dhe respektimi i ideve, ndjenja dhe vlerave të ndryshme ndihmon audiencën për të mësuar nga njëri-tjetri.

Shihni përtej kontekstit lokal. Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit duhet të ekzaminojnë, debatojnë dhe analizojnë çështjet e ngritura në film. Për të marrë këtë më tej, audienca inkurajohet të lidh filmin dhe çështjet në jetën e tyre dhe t’i kuptojnë më mirë njohuritë e përbashkëta që ata posedojnë.

Vepro. Audienca i konsideron veprimet që mund të ndërmarrin për të adresuar varfërinë dhe pabarazinë në jetën e tyre dhe të komuniteteve, vendeve por edhe në nivel ndërkombëtar.

DokuLab
Ratrak
Ratrak

Pikat e diskutimit

  1. Pikat e diskutimit janë të përfshira te aktivitetet.


Aktivitetet

Parashikimi i njohurive - Hapi I

Nxënësit në orët e kaluara kanë mësuar për format e komunikimit, më saktësisht për dialogun dhe monologun. Ndërkaq në këtë orë, nxënësit përveç që do te njihen më nga afër me monologun si formë e komunikimit dhe si mjet i fuqishëm për të zbuluar mendimet dhe ndjenjat e një personazhi (në këtë rast të vetes së tyre)  ata gjithashtu në fazën e parë te orës mësimore do të rikujtojnë së çka ishte monologu dhe dialogu si dhe të përbashkëtat dhe të veçantat e tyre.

Ndërtim i njohurive - Hapi II

Tryeza e diskutimit. Pas hapit të parë, nxënësit ulen në karriget e tyre dhe kërkohet nga ta të mendojnë apo rikutojnë rreth një momenti/ngjarje emocionuese, të veçantë  të jetës së tyre. Kjo ngjarje mund të jetë një kujtim i rëndësishëm, qoftë i lumtur apo I hidhur.  

Kërkohet nga nxënësit që ta diskutojnë një gjë të tillë me shokun/shoqen që e kanë  pranë. Pra, njëri nga ta tregon një ngjarje a moment emocionues derisa tjetri e dëgjon dhe anasjelltas.  

Në këtë pjesë, nëse  numri i nxënësve është më i madh atëherë nxënësit duhet të respektojnë tonin e duhur të zërit gjatë bisedës për të mos shkaktuar zhurmë në klasë.

Përforcimi i njohurive - Hapi III

Derisa nxënësit në fazën e dytë diskutuan dhe i treguan vetëm shokut që e kanë pranë për ngjarjen, momentin më emocionues të tyre, në këtë pjesë kërkohet nga nxënësit që të tregojnë po këtë ngjarje para të gjithë shokëve. Kërkohet nga nxënësit që të respektojnë shenjat e pikësimit gjatë të folurit dhe gjuhën e trupit.

Nxënësit të cilët e tregojnë ngjarjen e tyre pa u penguar nga të tjerët, pyeten se në cilin rast e kanë pasur më të lehtë të shprehen (na rastin kur vetëm shoku/shoqja ishtë dëgjues/e apo kur e gjithë klasa kishte vëmendjen e tyre).

Në këtë formë nxënësit mund të lirohen nga të folurit në publik, ani pse duke filluar thjesht nga shokët/shoqet e klasës.

DokuLab

Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG), të njohura gjithashtu si Qëllimet Globale, u miratuan nga të gjitha Shtetet Anëtare të Kombeve të Bashkuara në 2015 si një thirrje universale për veprim për t’i dhënë fund varfërisë, për të mbrojtur planetin dhe për të siguruar që të gjithë njerëzit të gëzojnë paqe dhe prosperitet deri në vitin 2030.

17 SDG janë të integruara - domethënë, ata e pranojnë që veprimi në një zonë do të ndikojë në rezultatet në të tjerët, dhe se zhvillimi duhet të balancojë qëndrueshmërinë sociale, ekonomike dhe mjedisore. Nëpërmjet premtimit për të lënë askend pas, vendet janë zotuar të ndjekin përparimin e shpejtë për ata më të rrezikuarit sa më parë. Kjo është arsyeja pse SDG-të janë krijuar për të sjellë botën në disa ‘zero’ që ndryshojnë jetën, duke përfshirë zero varfërinë, urinë, SIDA’n dhe diskriminimin ndaj grave dhe vajzave.

Të gjithë janë të nevojshëm për të arritur këto objektiva ambiciozë. Krijimtaria, njohuria, teknologjia dhe burimet financiare nga e gjithë shoqëria është e nevojshme për të arritur SDG-të në çdo kontekst.

DokuFest përmes programit edukativ në kuadër të departamentit DokuLab është përkushtuar që të senzibilizojë rininë, për të mësuar më shumë për Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm kryesisht përmes shfaqjeve të filmave nëpër shkolla dhe trajnimit të mësimdhënësve në përdorimin e filmit dhe mjeteve audiovizuale në procesin mësimor.

Ky udhëzues është prodhuar me këtë qëllim dhe është i bashkërenduar me kornizën kurrikulare të arsimit parauniversitar.

Learn about SDG’s