Filmi
Lënda
Përgatitur nga
Të drejtat autoriale të fletës së punës i takojnë DokuFest dhe nuk mund të përdoret pa miratim paraprak nga DokuFest.
Filmi dokumentar “I fshehur mes jush (Hidden among you)” flet për një adoleshent 19 vjeç nga Ferizaji i cili ka lindur në një familje të zakonshme shqiptare. Është fëmija i parë në familje pas disa vite martesë të prindërve të tij. Në kohën kur ka lindur, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë kanë qenë shumë të mëdha.
“Kur kam qenë në klasë të shtatë, filloi me më pëlqy një djalë. Unë isha në korin e shkollës, dhe ai poashtu. Ai nuk ishte në dijeni që unë e pëlqeja. Në këtë kohë unë fillova të dyshoj te vetja që jam homoseksual, por në asnjë mënyrë unë nuk e kisha guximin me e pranu që jam i tillë. Natën e vitit të ri 2011-2012 e kuptova që jam homoseksual. Në atë kohë isha 13 vjeç dhe e dija që për shumëkënd kjo është diçka neveritëse.”
Teksa tregon për ngjarje të ndryshme që kanë ndodhur në jetën e tij, ai flet për ndjenjat e tij të përziera dhe konfuzionin që e ka shoqëruar. “Këto kanë qenë momentet më të vështira që i kam përjetu ndonjëherë. Ka pas raste edhe kur e kam mendu vetëvrasjen si alternativë,” rrëfen personazhi i filmit.
—Paragjykimet, stereotipet, diskriminimi, qëndrimet.
—Shoqëria dhe mjedisi.
Shkalla 5, 6.
Klasa: XI, XII.
◎ Kompetenca e komunikimit dhe të të shprehurit - Komunikues efektiv (1. Shprehet përmes një forme të komunikimit, për një temë të caktuar në një material (prezantim) prej 200 fjalësh dhe veçon çështjet kryesore të ngritura në material (prezantim); 2. Diskuton në grup në mënyrë konstruktive, një diskutim në gjuhë amtare, apo në gjuhë angleze, në kohëzgjatje jo më shumë se 10 minuta, duke dhënë dhe duke marrë informata kthyese për një temë të caktuar nga ndonjë fushë mësimore formale dhe joformale etj.).
◎ Kompetenca e të menduarit - Mendimtar kreativ (1. Në forma të ndryshme të të shprehurit prezanton mënyrën e grumbullimit, të zgjedhjes dhe të klasifikimit të informatave për fusha të ndryshme mësimore apo për një temë të caktuar, ofron argumente për zhvillimet aktuale lidhur me temën përkatëse, p.sh., temë nga shkenca, nga kultura, nga arti, nga sporti, nga shëndetësia, nga shoqëria, nga mjedisi etj.).
◎ Kompetenca e të nxënit - Nxënës i suksesshëm (Demonstron shkathtësi funksionale në lexim-shkrim, në matematikë, në jetën e përditshme, në përmbushjen e kërkesave të ndryshme për kryerjen e një detyre apo aktiviteti dhe gjatë të nxënit të dijeve të reja në ndonjë fushë të caktuar mësimore).
Sipas Kurrikulës së Kosovës objektivat që synohen të arrihen përmes këtij filmi dokumentar janë:
⦿ Promovimi i vlerave të përgjithshme kulturore dhe qytetare,
⦿ Kultivimi i identitetit personal, kombëtar, të përkatësisë shtetërore e kulturore.
Shfaqja e facilituar bazohet në ciklin e mësimnxënies. Një shfaqje filmi pasohet nga një diskutim me audiencën. Ky proces ndihmon audiencën që të shikojnë filmin me sy kritik, reflektojnë, angazhohen duke parë problemin lokal në kontekst global dhe përfundimisht të merren me veprime të duhura që mund të ndikojnë në ndryshim shoqëror. Ky udhëzues e faciliton diskutimin në ambient të klasës.
Shikoni filmin. Publiku e shikon filmin si grup.
Reflektoni mbi filmin. Pas shfaqjes, audienca reflekton mbi filmin e shiquar, duke i ndarë pikëpamjet, ndjenjat dhe reagimet e tyre. Thelbësore për këtë qasje është njohja që çdo individ ka ide dhe mban vlera që janë të rëndësishme për ta. Duke e ndarë këtë, njohja dhe respektimi i ideve, ndjenja dhe vlerave të ndryshme ndihmon audiencën për të mësuar nga njëri-tjetri.
Shihni përtej kontekstit lokal. Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit duhet të ekzaminojnë, debatojnë dhe analizojnë çështjet e ngritura në film. Për të marrë këtë më tej, audienca inkurajohet të lidh filmin dhe çështjet në jetën e tyre dhe t’i kuptojnë më mirë njohuritë e përbashkëta që ata posedojnë.
Vepro. Audienca i konsideron veprimet që mund të ndërmarrin për të adresuar varfërinë dhe pabarazinë në jetën e tyre dhe të komuniteteve, vendeve por edhe në nivel ndërkombëtar.
I - Paragjykimet, Stereotipet II - Qëndrimet;
Mësimdhënësi/ja e ndan klasën në dy grupe. ◼ Grupi 1: Studion paragjykimet dhe stereotipet; ◼ Grupi 2: Studion qëndrimet. Nxënësve u lihet kohë në dispozicion për të marrë informacionin e nevojshëm nga teksti mësimor.
Shkruani mendimin tuaj rreth personave me orientim seksual ndryshe. Çfarë qëndrime mbani ndaj tyre?
Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG), të njohura gjithashtu si Qëllimet Globale, u miratuan nga të gjitha Shtetet Anëtare të Kombeve të Bashkuara në 2015 si një thirrje universale për veprim për t’i dhënë fund varfërisë, për të mbrojtur planetin dhe për të siguruar që të gjithë njerëzit të gëzojnë paqe dhe prosperitet deri në vitin 2030.
17 SDG janë të integruara - domethënë, ata e pranojnë që veprimi në një zonë do të ndikojë në rezultatet në të tjerët, dhe se zhvillimi duhet të balancojë qëndrueshmërinë sociale, ekonomike dhe mjedisore. Nëpërmjet premtimit për të lënë askend pas, vendet janë zotuar të ndjekin përparimin e shpejtë për ata më të rrezikuarit sa më parë. Kjo është arsyeja pse SDG-të janë krijuar për të sjellë botën në disa ‘zero’ që ndryshojnë jetën, duke përfshirë zero varfërinë, urinë, SIDA’n dhe diskriminimin ndaj grave dhe vajzave.
Të gjithë janë të nevojshëm për të arritur këto objektiva ambiciozë. Krijimtaria, njohuria, teknologjia dhe burimet financiare nga e gjithë shoqëria është e nevojshme për të arritur SDG-të në çdo kontekst.
DokuFest përmes programit edukativ në kuadër të departamentit DokuLab është përkushtuar që të senzibilizojë rininë, për të mësuar më shumë për Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm kryesisht përmes shfaqjeve të filmave nëpër shkolla dhe trajnimit të mësimdhënësve në përdorimin e filmit dhe mjeteve audiovizuale në procesin mësimor.
Ky udhëzues është prodhuar me këtë qëllim dhe është i bashkërenduar me kornizën kurrikulare të arsimit parauniversitar.
Lexo më shumë për këtë temë në: