Printo

Fleta e punës për përdorimin e filmit në klasë

Stresi dhe përballimi i tij

Filmi

Blinera n’rrjet


Lënda

Psikologji


Përgatitur nga

Jeta Rexha, SH. M. "Hajdar Dushi" Gjakovë

Të drejtat autoriale të fletës së punës i takojnë DokuFest dhe nuk mund të përdoret pa miratim paraprak nga DokuFest.

Stresi dhe përballimi i tij
Blinera n’rrjet

Përshkrimi i filmit

Filmi dokumentar “Blinera në rrjet” është një film i cili flet për ndikimin e rrjeteve sociale tek të rinjtë, varësinë dhe stresin që shkakton. Blinera, një vajzë 17 vjeçe tregon për peripecitë e saj të përditshme të postimit në instagram. Rrjeti nuk është gjë tjetër veçse magji për të, ajo tashmë po bëhet sfiduese. Ngjarja zhvillohet në formën e intervistës. —Në pyetjen që i bëhet Blinerës në lidhje me shpeshtësinë e postimeve në rrjetet sociale, ajo përgjigjet: “Postimet e mia varen nga ndjenjat e mia.”  —Pastaj pyetet për kohëzgjatjen e të mos pasurit qasje në telefon. “Varet nga dita në ditë, por mendoj që 48 orë mundem me qëndru,” përgjigjet ajo. —A mendon se media sociale është bërë një shprehi e keqe që po na largon prej realitetit, apo diçka shumë e mirë për kohën që po jetojmë ne? Ajo pranon që media sociale na ka larguar nga realiteti, mirëpo vetë median sociale e quan realitet.  —A ka ndonjë moment që ke dashur me i mbyll krejt rrjetet sociale? “Ka pasur momente që kam dasht me i mbyll për shkak të ngarkesës dhe stresit që të krijojnë.” —A varet disponimi yt nëse merr shumë pëlqime? “Është shumë keq me thonë po, por po, disponimi im varet prej pëlqimeve në rrjete sociale.”

Njësia mësimore

—Stresi dhe përballimi i tij

Fushat e kurrikulës

—Shoqëria dhe Mjedisi

Përshtatshëm për

Shkalla: 5, 6.
Klasa: XI dhe XII.

Kompetencat

◎ Kompetenca e komunikimit dhe të të shprehurit - Komunikues efektiv (I.1Shprehet përmes një forme të komunikimit, për një temë të caktuar në një material (prezantim) prej 200 fjalësh dhe veçon çështjet kryesore të ngritura në material (prezantim). I.3 Diskuton në grup në mënyrë konstruktive, një diskutim në gjuhë amtare, apo në gjuhë angleze, në kohëzgjatje jo më shumë se 10 minuta, duke dhënë dhe duke marrë informata kthyese për një temë të caktuar nga ndonjë fushë mësimore formale dhe joformale etj.)
◎ Kompetenca e të menduarit - Mendimtar kreativ (II.1 Në forma të ndryshme të të shprehurit prezanton mënyrën e grumbullimit, të zgjedhjes dhe të klasifikimit të informatave për fusha të ndryshme mësimore apo për një temë të caktuar, ofron argumente për zhvillimet aktuale lidhur me temën përkatëse (p.sh., temë nga shkenca, nga kultura, nga arti, nga sporti, nga shëndetësia, nga shoqëria, nga mjedisi etj).
◎ Kompetenca e të nxënit - Nxënës i suksesshëm (III.1 Demonstron shkathtësi funksionale në lexim-shkrim, në matematikë, në jetën e përditshme, në përmbushjen e kërkesave të ndryshme për kryerjen e një detyre apo aktiviteti dhe gjatë të nxënit të dijeve të reja në ndonjë fushë të caktuar mësimore.)
◎ Kompetenca personale - Individ i shëndoshë (V.8 Bënë zgjidhje të bazuara në informata dhe në përvoja të drejtpërdrejta për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien nga rreziqet e ndryshme në jetën e përditshme (p.sh., nga përdorimi i tepruar i teknologjisë). V.9 Në jetën e përditshme vepron në mënyrë të pavarur dhe të përgjegjshme, duke përzgjedhur mënyra të shëndetshme jetese, apo duke iu përgjigjur në mënyrë të duhur situatave të rrezikshme me të cilat mund të ndeshet në jetën e përditshme.)

Rezultatet e të nxënit

⦿ Njeh përkufizimin e stresit;
⦿ Përcakton burimet kryesore të stresorëve;
⦿ Harton plane për përballimin e stresit personal.

DokuLab
Blinera n’rrjet

Shfaqja e facilituar

Shfaqja e facilituar bazohet në ciklin e mësimnxënies. Një shfaqje filmi pasohet nga një diskutim me audiencën. Ky proces ndihmon audiencën që të shikojnë filmin me sy kritik, reflektojnë, angazhohen duke parë problemin lokal në kontekst global dhe përfundimisht të merren me veprime të duhura që mund të ndikojnë në ndryshim shoqëror. Ky udhëzues e faciliton diskutimin në ambient të klasës.

Shikoni filmin. Publiku e shikon filmin si grup.

Reflektoni mbi filmin. Pas shfaqjes, audienca reflekton mbi filmin e shiquar, duke i ndarë pikëpamjet, ndjenjat dhe reagimet e tyre. Thelbësore për këtë qasje është njohja që çdo individ ka ide dhe mban vlera që janë të rëndësishme për ta. Duke e ndarë këtë, njohja dhe respektimi i ideve, ndjenja dhe vlerave të ndryshme ndihmon audiencën për të mësuar nga njëri-tjetri.

Shihni përtej kontekstit lokal. Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit duhet të ekzaminojnë, debatojnë dhe analizojnë çështjet e ngritura në film. Për të marrë këtë më tej, audienca inkurajohet të lidh filmin dhe çështjet në jetën e tyre dhe t’i kuptojnë më mirë njohuritë e përbashkëta që ata posedojnë.

Vepro. Audienca i konsideron veprimet që mund të ndërmarrin për të adresuar varfërinë dhe pabarazinë në jetën e tyre dhe të komuniteteve, vendeve por edhe në nivel ndërkombëtar.

DokuLab
Blinera n’rrjet
Blinera n’rrjet

Pikat e diskutimit

  1. Çfarë kuptoni me stres?
  2. Cilat janë burimet e stresit?
  3. Përmendni disa grupe stresorësh?
  4. Përmendni disa strategji të përballimit të stresit?
  5. A janë mediat sociale (instagram, facebook, snapchat) përvoja frustruese në jetën tuaj?
  6. Si keni reaguar në situata të tilla? A mendoni që keni përdorur një apo më shumë strategji përshtatëse apo vetërregulluese?


Aktivitetet

Parashikim i njohurive - Stuhi mendimesh

Çfarë është stresi për ju?

Ndërtim i njohurive - Punë në grupe

Mësimdhënësi/ja i organizon duke i ndarë në tri grupe. Çdo grup zgjedh përfaqësuesin e tij. Më pas mësimdhënësi/ja ndan temat për secilin prej tyre: —1. Burimet e stresit: Stresorët —2. Reagimet ndaj stresit —3. Përballimi i stresit: Strategjitë Secili prej grupeve punon në mënyrë të pavarur për evidentimin dhe shtjellimin e çështjeve kryesore të trajtuara në çdo tematikë.

Përforcim i njohurive - Imagjinatë e drejtuar

Imagjinoni sikur njerëzit të mos stresoheshin nga asgjë. —Si do të ishte bota ku do të jetonin? —Çfarë do të ndodhte me jetën e tyre?

Vlerësimi

Nxënësit vlerësohen për aftësinë për të integruar njohuritë e tyre fillestare në një përkufizim.

Detyrë shtëpie

Cila është përvoja juaj me rrjetet sociale (Instagram, facebook, snapchat). A jeni ndjerë ndonjëherë të stresuar nga përdorimi i tyre? A keni përdorur ndonjë strategji përshtatëse apo vetërregulluese?

DokuLab

Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG), të njohura gjithashtu si Qëllimet Globale, u miratuan nga të gjitha Shtetet Anëtare të Kombeve të Bashkuara në 2015 si një thirrje universale për veprim për t’i dhënë fund varfërisë, për të mbrojtur planetin dhe për të siguruar që të gjithë njerëzit të gëzojnë paqe dhe prosperitet deri në vitin 2030.

17 SDG janë të integruara - domethënë, ata e pranojnë që veprimi në një zonë do të ndikojë në rezultatet në të tjerët, dhe se zhvillimi duhet të balancojë qëndrueshmërinë sociale, ekonomike dhe mjedisore. Nëpërmjet premtimit për të lënë askend pas, vendet janë zotuar të ndjekin përparimin e shpejtë për ata më të rrezikuarit sa më parë. Kjo është arsyeja pse SDG-të janë krijuar për të sjellë botën në disa ‘zero’ që ndryshojnë jetën, duke përfshirë zero varfërinë, urinë, SIDA’n dhe diskriminimin ndaj grave dhe vajzave.

Të gjithë janë të nevojshëm për të arritur këto objektiva ambiciozë. Krijimtaria, njohuria, teknologjia dhe burimet financiare nga e gjithë shoqëria është e nevojshme për të arritur SDG-të në çdo kontekst.

DokuFest përmes programit edukativ në kuadër të departamentit DokuLab është përkushtuar që të senzibilizojë rininë, për të mësuar më shumë për Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm kryesisht përmes shfaqjeve të filmave nëpër shkolla dhe trajnimit të mësimdhënësve në përdorimin e filmit dhe mjeteve audiovizuale në procesin mësimor.

Ky udhëzues është prodhuar me këtë qëllim dhe është i bashkërenduar me kornizën kurrikulare të arsimit parauniversitar.

Learn about SDG’s